Një automjet është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në aksin rrugor Milot-Burrel, ku ka marrë edhe dëmtime drejtuesi i mjetit gjatë tentativës për të shuar zjarrin.

Policia njoftoi se makina “Range Rover” me drejtues shtetasin A.K, 32 vjeç, banues në Peshkopi kishte marrë flakë në vendin e quajtur “Kongrazhd”.

“Drejtuesi i automjetit në përpjekie për të shuar flakët ka marrë dëmtime të lehta sipërfaqësore në njërën dorë. Shërbimet e policisë e kanë transportuar në spitalin e Burrelit, për të marrë ndihmë mjeksore, ku pas marrjes së ndihmës së parë është larguar nga Spitali”, sqaron policia.

Mësohet se drejtuesi i automjetit po udhëtonte i vetëm në automjet.

Automjeti është djegur pothuaj plotësisht.

Nga veprimet e kryera dhe nga deklarimet e drejtuesit të mjetit rezulton se shkaku i rënies së zjarrit në automjet ka ardhur si pasojë e një shkëndijë elektrike në sistemin elektrik të mjetit.