Enver Hoxha amerikanët nuk i donte, por anglezët i urrente. Ky ishte konkluzioni në të cilin kishte arritur Peter Lucas, pasi kishte studiuar me imtësi dokumentet sekrete të shërbimit informativ amerikan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Xhevdet Shehu

Ndërsa merresha me sjelljen në shqip të librit të Lucasit, ‘Misioni amerikan në Shqipëri’ disa vite më parë, gjithnjë më ka munduar pyetja: Pse Enveri nuk i donte amerikanët dhe pse i urrente aq shumë anglezët?

Një pjesë e përgjigjes jepet në librin e Lucas-it, një pjesë tek libri i Enverit ‘Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë, ndërsa libri ‘Operation Valuable Fiend’ i Albert Lulushit, sikur e plotëson tablonë dhe zbulon arsyet e vërteta të Enverit për këtë qëndrim të palëkundur të tij.

Me vdekjen e Mit’hat Frashërit më 3 tetor 1949 dolën probleme në mbarëvajtjen e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, por edhe për operacionin paramilitar të CIA-s kundër Shqipërisë komuniste. Mit’hati vdiq kur operacioni ishte ende në embrion, ndërsa vdekja e tij vazhdon të jetë e mbështjellë me mister edhe sot e kësaj dite…

Pasardhës i Mit’hatit në krye të Komitetit u zgjodh Hasan Dosti, ndërsa akti i parë i operacionit u ndërmor pak më shumë se një vit më vonë, më 11 nëntor 1950. Sikurse përshkruhet me imtësi në librin e Albert Lulushit “Operation Valuable Fiend” i botuar me sukses në Shtetet e Bashkuara, përfundoi në një katastrofë të vërtetë për CIA-n dhe Inteligent Servisin anglez, por arsyet e vërteta të këtij dështimi kanë qenë të panjohura deri më sot.

Deklasifikimi i dokumenteve ‘Top-Secret’ të CIA-s, ndriçojnë ngjarjen dhe tregojnë të vërtetën e madhe: SHBA donin që në Shqipëri të ishte një qeveri pro-perëndimore, jo një qeveri kukull e Moskës, por në asnjë mënyrë nuk kanë lejuar cenimin e integritetit territorial të Shqipërisë. Një shqyrtim i hollësishëm i marrëdhënieve shqiptaro- amerikane nga shpallja e Pavarësisë më 1912 e bën më të qartë këtë qëndrim konsekuent të Shteteve të Bashkuara.

11 nëntor 1950

… Në pasditen e vonë të 11 nëntorit, në një aeroport të vogël ushtarak 12 milje larg Athinës, një avion po bëhej gati për fluturim. Në atë avion do të fluturonin 9 burra me moshë rreth të tridhjetave, të cilët përbënin skudrën e parë të agjentëve paramilitarë që CIA do të parashutonte në Shqipëri.

Katër prej tyre do të operonin në zonën e Kukësit, ndërsa pesë do të parashutoheshin në malet e Martaneshit më në jug. Qëllimi i këtyre agjentëve ishte të prezantonin Komitetin Kombëtar për Shqipërinë e Lirë midis popullatës së këtyre zonave, t’u jepnin shpresë banorëve të atjeshëm se dita e çlirimit nga komunistët po afronte me shpejtësi si dhe të mblidhnin informacion mbi situatën në vend.

Avioni u ngrit nga aeroporti i Athinës në orën 19 e 40 minuta. Ai u drejtua nga gjiri i Korinthit në perëndim, pastaj u kthye nga veriu në detin Jon dhe fluturoi përgjatë bregdetit grek duke kaluar ishullin e Korfuzit. Kur arriti në Ngushticën e Otrantos, anoi djathtas dhe ndoqi një kurs verior paralel me linjën bregdetare shqiptare.

Ai hyri në Shqipëri në orën 22 e 27 minuta aty ku takohet kufiri jugosllav me detin në ekstremin jugor të luginës së lumit Buna në jug të Shkodrës. Mandej avioni ndoqi një kurs verilindor. Katër agjentët e parë u parashtuan në zonën e Kukësit në orën 23 e 50 minuta, ndërsa pesë të tjerët në zonën e Martaneshit në orën 00 e 45 minuta. Avioni u ul në Greqi në orën 03 e 45 minuta. Koha e përgjithshme për këtë fluturim të parë agjenturor kishte zgjatur 8 orë e 10 minuta…

Më pas, kohë pas kohe, në Shqipëri u bënë zbarkime të tjera nga ajri, toka dhe deti, të cilat sikurse është dëshmuar përfunduan në një katastrofë të vërtetë për këta agjentë, por edhe për vetë CIA-n që e financoi këtë operacion paramilitar që do të zgjaste për rreth pesë vjet. Sidoqoftë, shenjat e dështimit të operacionit u dukën qysh në vitin e parë. Prandaj dhe ndërkohë që zhvillohej operacioni pati lëkundje të qëndrimeve amerikane dhe angleze, ndryshime të njerëzve në pozicionet e operacionit si dhe u ngjallën shumë dyshime mbi arsyet e dështimit të tij…

Pikërisht në këtë periudhë është formësuar qëndrimi anglez për copëtimin e Shqipërisë, ndërkohë që ekzistonin dhe plane të tjera…

Lufta civile në Greqi

Po para se të hyjmë në analizën pse u ndërmor ky operacion paramilitar i CIA-s dhe Inteligent Servisit anglez kundër regjimit komunist të Tiranës në vitet 1949-1954, është e nevojshme të hidhet një vështrim i shpejtë mbi qëndrimin e amerikanëve dhe anglezëve ndaj Ballkanit në përgjithësi dhe ndaj Greqisë dhe Shqipërisë në veçanti në atë periudhë. Në vitin 1949 ishte në përfundim lufta e përgjakshme civile në Greqi, një luftë 5-vjeçare, e mbështetur fuqimisht nga amerikanët dhe anglezët për të mos lejuar ardhjen në pushtet të forcave të majta, pavarësisht se ishin ata, pra partizanët komunistë, që kishin bërë luftën antifashiste dhe kishin çliruar Greqinë.

Melina Mërkuri, një personalitet i shquar i kulturës dhe politikës greke, aktore, këngëtare dhe politikane, ish-ministre e Kulturës së Greqisë në vitet 1981-1989, në librin e saj “Jam lindur greke”, duke përshkruar atmosferën greke në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, ndër të tjera shkruan:

“Në fillim gjithçka ishte e mbushur me hare dhe dashuri. Nga malet zbritën partizanët që përqafoheshin të përlotur. Burgjet ishin hapur. Familjet po ribashkoheshin. Mbi Akropol, flamuri grek valvitej me krenari sërish. Por shpejt, sa shpejt, lindi një ndjesi e turbullt shqetësimi. Ushtria partizane kishte marshuar për në Athinë për t’iu bashkuar festimeve, por, pa hyrë në qytet, u ndal. Pse?…”

Është pikërisht fillimi luftës civile greke që e ka fillesën në ditën e çlirimit të Greqisë, më 12 tetor 1944. Pas kësaj dite filloi një luftë e përgjakshme midis vetë grekëve se kush do ta merrte pushtetin në Athinë. Është padyshim një nga ngjarjet më të dhimbshme në historinë e popullit grek. Fitimtarët e asaj lufte nuk u lejuan të vinin në pushtet. Pse?

Le t’i referohemi për këtë librit ‘Grekët’ të Prof Xhejms Petifer të Universitetit të Oksfordit. Prof. Pettifer shkruan: “Por në një ironi të fatit, tipike greke, një jehonë e largët nga ndërrimet e vendeve të tragjedive të lashtësisë, në po këto pyje veriore u zhvilluan betejat më të përgjakshme, torturuese dhe të fundit të Luftës Civile, në 1949-n. Në malet e Gramozit në brendësi, mbeturinat e Ushtrisë Demokratike të krahut të majtë u tërhoqën në Jugosllavi dhe Shqipëri, nën bombardimin e forcave ajrore të Greqisë sipas këshillave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u përdor për herë të parë napalmi.

Fronti Nacional Çlirimtar (EAM) dhe krahu i tij ushtarak, Ushtria Popullore Nacional Çlirimtare (ELAS) ishin qartazi forcat më efektive antigjermane, të pakrahasueshme me këdo tjetër në vend. Të dyja ishin tërësisht të kontrolluara nga Partia Komuniste Greke (KKE). Politika e britanikëve ishte për rivendosjen e monarkisë dhe qeverisë së djathtë, ndaj dhe udhëheqësit e rezistencës u ftuan në Kajro, në një përpjekje për të siguruar unanimitetin midis udhëheqësve guerilas dhe politikanëve.

Pas një serie manovrash të një kompleksiteti të pafundmë, ky plan dhe shprehja e tij zyrtare, marrëveshja e Urës së Plakës, dështoi. Çlirimi i Greqisë, sidoqoftë, po përparonte me shpejtësi dhe, në tetor të 1944-s, Athina dhe Pireu ishin çliruar, me EAM-in si qeveria efektive e pjesës më të madhe të vendit. Por shumë shpejt, forcat britanike, të drejtuara nga gjeneral Scoobie, zbarkuan në Athinë dhe luajtën pjesën më të madhe të rolit në shfronësimin e EAM-it. Farat e tragjedisë së ardhshme u mbollën dhe, çfarëdo shtysash të ligjshme që mund të kenë patur britanikët në përpjekjen për të vënë rregull në kaosin e Athinës, realiteti për shumë grekë ishte se ata po mbronin kolaboracionistët dhe fashistët nga drejtësia popullore dhe po përpiqeshin të vendosnin për të ardhmen politike të vendit të tyre.

Britanikët mund të kenë besuar se ushtria do të mund të vendoste rregull dhe se qeveria demokratike do të rishfaqej nën monarki, por plagët e Luftës ishin tejet të thella. Shoqëria ishte tepër e ndarë dhe e shpërndarë për të arritur ndonjë gjë më shumë se një armëpushim. Midis 1947-s dhe 1949-s, u zhvilluan betejat e fundit më të hidhura: udhëheqja e Ushtrisë Demokratike të Marko Vafiadhisit themeloi një ushtri guerilase efektive, e cila operoi pa pengesë në një pjesë të mirë të Greqisë veriore me mbështetje të konsiderueshme nga fshatarësia, por nuk qe në gjendje për të kapur ndonjë nga qytetet e rëndësishme të kontrolluara nga trupat e qeverisë me ndihmën jetike të fuqisë ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ofensiva e fundit në malet e Gramozit u kontrollua nga një shtab i përgjithshëm i përbashkët greko-amerikan, i cili shprehte simbolikën për realitetet politike themelore që do të mbizotëronin në Greqi për tridhjetë vjetët e ardhshëm. Gjenerali Papagos, i cili ishte kryekomandant i ushtrisë kombëtare, u bë shumë shpejt udhëheqësi politik i vendit dhe kryeministër në vitin 1952. Kjo nuk do të mund të kishte ndodhur kurrë pa mbështetjen amerikane, sipas doktrinës Truman, duke nisur nga viti 1947, pas tërheqjes së Britanisë nga konflikti”.

Qëndresa e fundit e Ushtrisë Demokratike në Gramoz, një betejë heroike përkundër shanseve të pashpresa, ka qenë një simbol i fuqishëm për të Majtën. Greqia është një vend thellësisht ortodoks dhe ortodoksia është një kishë që mbështetet shumë te martirizimi. Lufta Civile i furnizoi të dyja palët me martirë të vërtetë të shumtë, njerëz të mirë që vdiqën për atë çka ata besonin, simbole për të justifikuar bindjet e tyre shoqërore dhe politike.

Edhe pse këto ngjarje kanë ndodhur më shumë se gjysmë shekulli më parë dhe, ndonëse Greqia ka përjetuar edhe diktaturë ushtarake, edhe demokraci populiste të majtë që atëherë, ato janë, në njëfarë mënyre, ku historia fillon e mbaron. Pa plagët e Luftës Civile, shumë pak të shëruara, nuk mund të kuptohen trazirat e herëpashershme dhe atmosfera e ethshme e jetës greke. Edhe sot e kësaj dite, shumë njerëz mund të mos bien dakord me përshkrimin e ngjarjeve. Sipas të Djathtës ekstreme, të paktën për disa prej apologjetëve të saj, për shembull, fshatarët nuk i kanë ndihmuar kurrë luftëtarët e ELAS-it dhe ushtria britanike nuk i ka mbrojtur kurrë kolaboracionistët e Boshtit, e kështu me radhë. Sipas pikëpamjes së disa ekstremistëve të së Majtës, Stalini nuk i tradhtoi kurrë komunistët grekë, njerëzit e ELAS-it nuk kanë vjedhur as edhe një pulë gjatë gjithë Luftës Civile, e kështu me radhë. Ndërkohë që çështja është ende tronditëse emocionalisht dhe ka nga ata që janë gjallë, të cilët kanë marrë pjesë në ngjarjet, nuk ka gjasa që motivet reale të atyre të përfshirë – dhe asaj që ndodhi – të zbardhen ndonjëherë plotësisht.

Plani jugosllav

Po përpara se të flasim për një projekt të mirëfilltë anglez për copëtimin e Shqipërisë në vitin 1951, le të flasim për një plan jugosllav për pushtimin e Shqipërisë në të njëjtën kohë dhe që përputhet plotësisht me planin e Londrës. Kjo përshkruhet saktësisht në librin ‘Operation Valuable Fiend’. Pra, le të rikthehemi tek edhe një herë tek historia e operacionit paramilitar amerikano-anglez ndaj Shqipërisë. Dhe është e çuditshme të shihet se si janë koordinuar planet angleze, amerikane dhe ballkanike në gjithë këtë histori. Jugosllavia e Titos, pas ndarjes me Stalinin dhe me Moskën ishte bërë shumë e dashur për perëndimin dhe ishte pikërisht ky fqinj i Shqipërisë që kishte bërë planin e parë kundër Shqipërisë…

Krijimi i Ligës së Refugjatëve Shqiptarë nga jugosllavët ishte pjesë e një plani që ata ishin duke e vënë në zbatim për të zëvendësuar regjimin e Hoxhës me një tjetër që të ishte pro Titos. Një hap tjetër i planit ishte përgatitja nga Gjeneral Peko Dapçeviç, Svetozar Vukmanoviç Tempo dhe Kosta Nadj i një programi për të pushtimin e Shqipërisë. I njohur si Plani R-7, ai parashihte një periudhë parapërgatitore ndërkohë që aksionet dhe propaganda diversioniste do të nxisnin publikun shqiptar kundër Enver Hoxhës dhe sovjetikëve. Mandej, njësitë e armatosura të Ligës së Refugjatëve në Jugosllavi, të shpërndarë në një divizion të ushtrisë së rregullt jugosllave të përbërë nga elementë kosovarë, do të hynin në Shqipëri dhe do të takoheshin në Tiranë nga disa drejtime të ndryshme. Radhët e këtyre forcave goditëse do të shtoheshin me rreth 50 mijë njerëz gjatë marshimit drejt Tiranës nga mbështetësit e brendshëm dhe dezertorët e ushtrisë shqiptare. Ishte menduar që ky operacion të përmbushej në një kohë të shkurtër. Ky plan ishte skicuar në instancat më të larta të shtetit jugosllav të asaj kohe (Yugoslav Plan for the Invasion of Albania, CREST Database, July 23, 1953).

Për më tepër mund të thuhet se ndërsa përgatitej ky plan i pushtimit të Shqipërisë nga ana e Jugosllavisë, në qershor të vitit 1951 jugosllavët iu drejtuan qeverisë greke me një propozim për bashkëpunim dhe mbështetje në rast se veprimet ushtarake shpërthenin në Shqipëri. Ata thoshnin që në qoftë se regjimi shqiptar binte apo nëse Bashkimi Sovjetik apo satelitët e tij sulmonin Jugosllavinë, ushtria jugosllave do të pushtonte menjëherë Shqipërinë. Në këtë mënyrë, jugosllavët kërkonin të paracaktonin zonat e influencës dhe dhe vijat ndarëse në mënyrë që të shmangnin konfrontimin midis ushtrive greke dhe jugosllave kur të fillonte lufta.

Ministria e Jashtme greke kërkoi të këshillohej me Departamentin amerikan të Shtetit lidhur me përgjigjen që do t’i jepte propozimit jugosllav, i cili nga ana e tij ftoi britanikët të shprehnin opinionin e tyre për këtë çështje.

Plani britanik

Gjithnjë sipas librit ‘Operation Valuable Fiend’, Ministria e Jashtme britanike i dërgoi një memorandum Uashingtonit më 20 qershor 1951, në të cilin përmblidhej pozicioni britanik në një sentencë: “Nëqoftëse Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar dëshirojnë ta shikojnë Shqipërinë të mbetet e pavarur, ato duhet të marrin garanci nga Greqia dhe Jugosllavia se pushtimi do të jetë i përkohshëm; nëse pavarësia shqiptare nuk do të funksionojë, ato duhet të mjaftohen thjesht me përpjekjet për të shmangur një përplasje midis Greqisë dhe Jugosllavisë”. (The Independence of Albania, BGFIEND documents, n.d.)

Memoja vijonte duke shpjeguar që britanikët parapëlqenin një Shqipëri të pavarur mike të Perëndimit, por jo duke dobësuar Jugosllavinë apo Greqinë, si dhe ata donin të shihnin një kufi ndarës të arritur me marrëveshje parprake vetëm për këtë. Në favor të vazhdimësisë së pavarësisë së Shqipërisë, memoja britanike rendiste faktorët si elementët etnikë dhe historikë, ekzistencën e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, si dhe vështirësinë e përmbushjes së një zgjidhjeje alternative pa konflikt midis fuqive të interesuara. Faktorët kundër pavarësisë së Shqipërisë ishin madhësia e saj dhe mungesa e stabilitetit si shtet, pozita e të cilit, argumentonin britanikët, do të ishte më e mirë si një republikë e Federatës jugosllave, me apo pa rajonin e Vorio Epirit të pretenduar nga Greqia. Kjo alternativë mund të ishte e pranueshme nga Jugosllavia, Greqia, madje dhe nga shqiptarët, por mund të zemëronte Italinë. Megjithatë, memoja britanike konkludonte: “Meqë jugosllavët ishin të orientuar nga perëndimi dhe për shkak se popullsia e konsiderueshme shqiptare që ndodhet tashmë atje (brenda kufijve jugosllavë), kjo mund të mos jetë një zgjidhje krejt e papranueshme”. /Dita/