Diplomatë të disa vendeve perëndimore në Shkup, shprehen të habitur nga aludimet që po i bën kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, se heqja dorë nga kërkesat e shqiptarëve ndihmon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Është gënjeshtër e kulluar aludimi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. as gjuha shqipe as kryetari i Parlamentit nuk kanë qenë pengesë për anëtarësim në NATO. Përkundrazi, NATO inkurajon avancimin e të drejtave të bashkësive etnike, sepse kjo rrit stabilitetin e vendit, që është edhe një nga kushtet e NATO-s.

Pengesë e vetme për anëtarësim e Maqedonisë në NATO është moszgjidhja e çështjes së emrit. BDI ka ndihmuar dhe ka zbatuar me dëgjueshmëri të plotë politikën provokuese të VMRO-DPMNE-së ndaj Greqisë, siç janë ndërtimi i busteve, emërtimet provokuese, e kështu me radhë. Nuk është mirë që BDI dështimet e veta t’i paraqesë si gjoja kompromise për hir të anëtarësimit të vendit në NATO, sepse në këtë mënyrë mund të krijohet përshtypje e gabuar te shqiptarët, se gjoja NATO qenka kundër të drejtave të tyre”, kanë thënë këta diplomatë, përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s, për disa mediume maqedonase.

BDI në vitin 2014 pat njoftuar se ka hequr dorë nga premtimi për zgjedhjen e një shqiptari për kryetar Kuvendi, për hir të integrimit të vendit në NATO dhe BE. Diplomatët edhe atëherë, njësoj sikur tani, patën paralajmëruar se bëhet fjalë për gënjeshtër të BDI-së, sepse zgjedhje e kryetarit shqiptar të Kuvendit nuk është pengesë për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.

Fjalori i diplomatëve perëndimorë ndaj BDI-së është ashpërsuar sërish, pas intervistës së mbrëmshme të kryetarit të BDI-së, ku deklaroi se nuk preferon zgjedhje të kryetarit të Kuvendit pa marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, që interpretohet si regres në qëndrimet e tij në drejtim të zgjidhjes së krizës aktuale.