Gazetar: Emir Hamzai

Një Komision i posaçëm parlamentar për ‘Grupin e Kumanovës’ do të sillte në shesh të vërtetën për këtë rast. E vetmja mundësi për një të vërtetë do të mundësonte Komisioni i cili do të shqyrtonte dhe miratonte ndonjë vendim për rigjykimin e këtij rasti, gjegjësisht që do të përfshinte një hetim më të gjërë. Kështu kanë vlerësuar për portalin Fol, LSDM, BDI, ASH dhe Lëvizja Besa.

Muhamed Zekiri, deputet nga radhët e LSDM-së, për portalin Fol është deklaruar se partia e tij është e gatshme dhe ka vullnet që të formohet komisioni parlamentar në veçanti për rastin e Kumanovës.

”Ka gjithsesi vullnet dhe kjo do të bëhet. Kjo nuk u bë para se të jepet vendimi për
‘Grupin e Kumanovës sepse, bëhet fjalë për procedura dhe duhet kohë për t’i ndryshuar
njerëzit në institucione që duhet zbuluar e vërteta”, ka deklaruar Zekiri.

Zekiri, në lidhje me afatin se kur do të bëhet një gjë e tillë nuk njoftoi saktë, por ai
premtoi se do ta njoftojë opinionin së shpejti.

”Gjithsesi se do ta mbështesim një iniciativë të këtillë, gjegjësisht formimin e një
komisioni parlamentar-hetues, që do të jetë në funksion të zbardhjes së rastit. Gjithçka
që është në funksion të zbardhjes së rastit, pa asnjë dyshim Aleanca për Shqiptarët do ta
përkrahë”, kështu ka theksuar për Fol deputeti Syrija Rashidi nga Aleanca për
Shqiptarët.

I pyetur pse ASH nuk e ka ngritë si çështje këtë para se të sillet vendim për
Grupin e Kumanovës, Rashidi thotë se ASH ka reaguar edhe më herët për të gjitha rastet e
montuara.

”Në paket të gjitha rastet e montuara dhe jo vetëm për këtë rast, jemi angazhuar
gjithmonë për zbardhjen e disa rasteve, si Monstra, Sopoti. Gjithashtu kemi prit që edhe
ky rast të ketë trajtimin adekuat, të ngelet si rast i montuar, pasi nuk dihen autorët e
vërtetë dhe vetëm jepen vendimet drakonike për ata që janë të përfshirë në mënyrë të
drejtpërdrejtë. Ne kemi dyshime se këtu janë të përfshirë dhe persona jashtë saj.
Prandaj, do të ishte e udhës që edhe Komisioni parlamentar por edhe gjyqësia, kushtimisht
të themi e pavarur, të kryejë punen e vet. Poashtu janë edhe kërkesat për një hetim
ndërkombëtar të pavarur, domethënë që gjithçka që është në interes të zbardhjes së
rastit, ne do ta mbështesim”, shton më tej Rashidi.

Ilija Dimovski, deputet i partisë së Nikolla Gruevskit, thotë se ende nuk mund të ketë
ndonjë qëndrim konkret për formimin e një komisioni parlamentar, pasi ende nga askush nuk është kontaktuar OBRM-PDUKM dhe gjithsesi se me këtë lë hapësirë që ky rast të zbardhet.

”Ende askush nuk ka komunikuar me ne. Askush ende nuk na ka dhënë dokumente, kështu që ende nuk nuk jemi në gjendje të prononcohemi. Se a do ta përkrahë OBRM-PDUKM të ardhme për formimin e komisionit parlamentar, duhet të presim, sepse siç thash askush nuk ka biseduar me ne rreth kësaj çështje. Tani për tani ky është qëndrimi ynë”,
ka theksuar Dimovski për Fol.

Arbër Ademi nga BDI vlerëson se partia e tij që në fillim ka kërkuar për angazhimin e një
hetimi ndërkombëtar, pasi sipas tij, opinioni dhe të personat e përfshirë në këtë rast,
meritojnë ta dijnë të vërtetën dhe se cilët ishin motivët dhe organizatorët e këtij
rasti.

”BDI prej kohësh ka theksuar se angazhohet për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtar, me qëllim për një hetim të plotë, një hetim gjithëpërfshirës për zbardhjen e të vërtetës.
Kjo, pasi i gjithë opinioni por edhe vetë palët e përfshira në këtë proces, e meritojnë
ta dijnë të vërtetën. Vetëm një hetim i plotë, edhe atë përmes ekspertëve ndërkombëtarë,
do të mundësonte që të zbardhen edhe dilemat sa i përket asaj se kushin organizatorët dhe për të parë se cilët ishin edhe motivet për të evituar të gjitha dyshimet lidhur me
organizatorët.

Ne u kemi bërë thirrje edhe institucioneve përkatësd, të cilët do të duhet të vendosin
një komunikim të vazhdueshëm, një bashkëpunim edhe me institucionet relevante nga vendet fqinje, siç është Shqipëria dhe Kosova. Përpos kësaj, BDI është duke përpiluar një
iniciativë për formimin e një komisioni anketues në kuadër të departamentit të RM-së. Me
këto aksione të BDI-së, do të lëvizin gjërat në kahje pozitive, sigurisht që presim edhe
bashkëpunimin e partive tjera politike”, potencon Ademi.

Ai ndër të tjera shton se partia e tij, ka insistuar deri më tani për sigurimin e një
procesi të drejtë, transparent, me çka do të evitoheshin të gjitha dilemat sa i përket
vërtetësisë së këtij rasti.

Nga ana tjetër edhe Lëvizja Besa për Fol thotë se çdo iniciativë në interes në zbardhjen
e këtij rasti, e në veçanti formimin e një komisioni parlamentar për këtë rast, gjithsesi
se do ta përkrahë.

”Ka zëra për formimin e një komisioni të këtillë, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Lëvizja
Besa, me siguri do ta kishte fuqishëm një iniciativë të tillë për zbardhjen e rastit, kur
dihet gjithë ajo që ndodhi me vendimet e gjykatës që është kriminale. Ne jemi të
interesuar që rasti të zbardhet. Ne, me siguri se do ta ngritim edhe si çështje në
parlament dhe nëse ka përkrahje edhe nga grupet tjera parlamentare, pse jo. Ne jemi të
interesuar që të përdoren të gjitha mjetet demokratike dhe politike që rasti i Kumanovës
të zbardhet dhe opinioni ta dijë të vërtetën”, deklaron deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil
Zendeli.

Sipas tij, në këtë rast ka shumë çështje që kanë ngelë dilemë, nga mënyra si u zhvillua
procedura, nga mënyra si u soll prokuroria, gjykata dhe policia. Sipas tij, shqiptarëve u
përsëriten gjërat, nuk është rasti i parë, pasi që shqiptarëve 27-vite u përsëriten
gjërat e njëjta.

Pas vendimit nga ana e Gjykatës Penale ndaj ‘Grupit të Kumanovës’, reaguan të gjitha
partitë politike shqiptare në Maqedoni dhe kërkuan që rasti të hetohet edhe
ndërkombëtarisht. Me një fjalë, partitë janë të pajtimit se duhet të formohet një
komision parlamentar për këtë rast, i mbetet kohës që opinioni të vlerësojë nëse vërtetë
partitë janë të interesuara që e vërteta për këtë rast të qartësohet. /Fol/