Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha dje se me krahasimet e holandezëve me nazistët, Turqia duket se është e shkëputur nga realiteti. Komentet e tij vijnë pas një debati të gjatë mes Turqisë dhe disa vendeve evropiane në lidhje me eventet e fushatës turke të referendumit në Evropë. President turk Reçep Tajip Erdogan akuzoi një ditë më parë holandezët se ishin “mbetje të nazizmit”, pas ndalimit të mitingut me komunitetin turk në Rotterdam, teksa më tej ai intensifikoi debatin duke fajësuar gjithashtu holandezët për masakrën e muslimanëve në Srebrenicë të Bosnies në 1995.

“Holanda është vendi i lirisë dhe demokracisë, ndërsa qyteti i Erasmus, i cili është shkatërruar brutalisht nga nazistët, sot ka një kryebashkiak me origjinë marokene”, tha Tusk duke shtuar se nëse dikush shikon nazizëm në Rotterdam, atëherë është krejtësisht i shkëputur nga realiteti. Gjermania e Austria gjithashtu kanë ndaluar mitingje elektorale turke për referendumin presidencial të 16 prillit.