mersel bilalli

Logjika e lypjes së pushtetit me çdo kusht duhet të nënkuptojë përgjegjësi pa kusht. Tani njerëzit i lexojnë mirë epshet e sëmura. Ashtu siç pacienti nuk ka nevojë për poezi, por për ekip profesional, edhe populli ka nevojë për shumë ekipe profesionale jopartiake.

Shkruan: Mersel Bilalli, Gostivar

Në Skoci ekziston një urë e lartë, e ndërtuar në vitin 1859, e cila tani konsiderohet ndër 15 misteret më të mëdha në botë. Në te çuditshëm, shumë qenë kanë bërë vetëvrasje, duke kërcyer nga 50 metra lartësi. Tani ura është siguruar, ashtu që pengohet hedhja e qenve, por qentë kur i afrohen urës, bëhen të padurueshëm ndaj barrierave që e pengojnë vetëvrasjen, sa pronarët kurrë më nuk i dërgojnë qentë aty!

Një vend i ngjashëm, sa misterioz po aq komik e tragjik, është edhe Maqedonia, ku nuk rrezikohen qentë, por njerëzit. Ata në këtë vend sikur e adhurojnë nënshtruesin, flirtojnë me djallin, e dashurojnë xhelatin! Hedhin normalen dhe preferojnë vetëasgjasimin! I dëbojnë fëmijët që të fitojnë ndonjë buzëqeshje nga ndonjë imitacion politikani. Gjithë këtë e bëjnë në emër të krenarisë nacionale, të cilën deri në palcë e përdhosën mu këta patriotë të rrejshëm. Kështu ky vend u transformua nga një vend me shanse të mira në një pacient të pashpresë. U shndërrua në vend ku më të rrezikuar janë të ndershmit sesa hajdutët. Me një politikë të tillë Maqedonia u shndërrua nga një udhëkryq ballkanik në një qorrsokak të vdekur. Miliarda euro u humbën për shkak se pushteti analfabet e humbi Korridorin 8. E që e keqja të jetë më e madhe, pushteti katër vitet e fundit e filloj projektin e afrimit me Rusinë, që solli këtu ku jemi.

Çfarë epilogu pritet?

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për atë së çka do t’i ndodhi këtij pushteti, shteti dhe të gjithë neve. Opsioni i parë është zgjidhja e gjendjes ekzistuese në një proces jo aq trazues, që vazhdimisht do ta dobësonte pushtetin, kurse do ta forconte strukturën opozitare në konceptin qytetar. Bashkësia ndërkombëtare është shumë e vetëdijshme se struktura përreth Gruevskit, e cila si duket konsumon mjaft mjete për qetësim, akoma mund të luajë në kartën tejet të rrezikshme të “shpëtimit kombëtar maqedonas nga elementet e huaja (Perëndimi), të cilët bashkëpunojnë me tradhtarët vendas (opozita) dhe me shqiptarët për shkatërrimin e shtetit.” Andaj i lihet kohës që kjo energji të humbë nga masa kritike. Këtu zgjedhjet do të mbaheshin atëherë kur të jetë e qartë se kapaciteti VMRO-ist nuk do ta tejkalonte numrin prej 40 deputetësh, pasi do ta vështirësonte heqjen e mandateve parlamentare për kreun e akuzuar.

Opsioni i dytë është radikalizimi masiv qytetar, i cili mund ta rrëzoj shpejt pushtetin, duke e bllokuar kryeqytetin dhe duke i paralizuar të gjitha institucionet e kidnapuara nga një grup i nëntokës. Këtu faktori opozitar shqiptar me një retorik kohezive dhe tolerante etnike e fetare mund të ndihmojë shumë në rrëzimin e pushtetit, njëherazi duke e faktorizuar vetveten dhe duke dërguar mesazh, për të gjitha ngjyrat manipulative nacionaliste, se çmimi i kësaj loje ka kosto të madhe. Tranzicioni në këtë rast do të udhëhiqej nga një qeveri ekspertësh.

Opsioni i tretë është grushteti. Pushteti tani shumë herë e ka matur pulsin e një veprimi të tillë. Kjo disa herë është potencuar nga Gruevski muajve të fundit, duke u thirrur në humbjen e durimit të popullatës, që aq shumë brengoseshka për fatin e kriminalitetit familjar! Të njëjtën gjë, por në variantin më stupid, këto ditë e bëri edhe Ivanovi, i cili sinjalizoi përdorimin e ushtrisë që ta mbrojë kriminalitetin e pushtetit!!! Me ta ai kushedi për të satën herë dëshmoi se roli i tij në oborrin e Gruevskit është që të jetë vetëm një lolo. Nëse ndodhë njëfarë tentimi për grushtet, me siguri se rreziqet për shtetin, udhëheqësinë e tij dhe për qytetarët në përgjithësi do t’i afroheshin efektit të një ruleti rus. Shteti do të shndërrohej në kaos të vërtetë, kurse udhëheqësia brenda natës do të përfundonte në burg.

Opsioni i katërt është puçi i mundshëm brenda partisë VMRO-së. Shumë anëtarë dhe funksionar të kësaj partie janë të vetëdijshëm se partia u fundoset dhe se ajo do të mund të dalë në sipërfaqe vetëm pasi të jetë mbytur. Pakënaqësia atje ka arritur kulminacionin, por udhëheqësia përdor mjete tejet të rrezikshme për pengimin e një organizimi puçist partiak. Madje, informatat flasin edhe për grupe speciale, të cilat i kërcënohen çdo partiaku që në nuancë kërkon ndryshime në parti. Por, si duket, këto kërcënime çdo ditë e më shumë e humbasin kondicionin.

Çka dëshiron bashkësia ndërkombëtare?  

Qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare, në rend të parë i amerikanëve, është i shumëfishtë. Së pari, ata përmes Maqedonisë dëshirojnë stabilizimin e rajonit, i cili kontrollohet fuqishëm nga nëntoka. Zakonisht këtu “patriotizmat” dhe “nacionalizmat” janë vetëm forma manipuluese për mbrojtjen e krimit të organizuar. Gjithë kjo në plan afatmesëm paraqet një kanosje serioze për paqen dhe sigurinë rajonale. Së dyti, strukturat perëndimore, si një leksion, kanë nevojë për ta përcjellë mesazhin se sa shtrenjtë paguhet afirmimi i politikës pro-ruse në këto treva. Kjo duhet të jetë vërejtje për çdo pretendent tjetër ballkanik, i cili mund ta luajë të njëjtën lojë (sidomos në Serbi dhe në Republika Srpska).

Ku janë këtu shqiptarët?

Krijohet përshtypja se nuk ekzistojnë aso fjalë të rënda ofenduese për shqiptarët që janë thënë nga funksionarë të VMRO-së, të cilat BDI-ja dhe PDSH-ja nuk kanë mund t’i gëlltitin. Këtu nuk është fjala vetëm për zënie të bishtit ose për përbetime të përjetshme, sa për të lëpirë ndonjë asht, por shumë më tepër. Mendohet se krimi i VMRO-së i tejkalon miliardat, kurse këta shqiptarë të mjerë, në emër të disa dhjetëra milionave në xhep, e dëbuan popullatën e vet nga shteti! BDI-ja në vazhdimësi i ka injoruar intelektualët e profesionistët, kurse rregullisht ka avancuar njerëz ose pa fytyrë ose me shumë fytyra. Në këso diletantizmi, VMRO-ja me mjeshtri e eliminoi procesin euro-atlantik, duke provokuar grekët që ata ta bllokojnë procesin dhe kështu të mbetet jashtë çdo kontrolli të jashtëm. BDI-ja vite me radhë i “kulloti” njerëzit me patriotizëm të rrejshëm, përderisa rinia si prodhim i gatshëm  u detyrua të largohet nga vendi. Tani klasat kanë mbetur të zbrazura, prindërit kanë mbetur pa fëmijët e tyre, ndërsa ekonomia, socialja, arsimi, kultura e arti mbetën vetëm për monumentet dhe statujat qindramilioëshe të Gruevskit. U nënshtruan njerëz të gjallë që të ngrihen përmendore të vdekura dhe çdo gjë u kthye mbrapsht. Antivlerat u shndërruan në vlera. Jonormalja u shndërrua në normale. E mira ia lëshoj vendin të keqes! Ndërkohë secilit qytetar në shtet i janë vjedhur më tepër se 1.500 euro dhe secili qytetar është futur në borxhe edhe për 2.500 euro shtesë, krahasuar me dhjetë vite më parë, kurse në fakt gjendja e jetesës është keqësuar dyfish. Gjithçka si duket ka përfundua në Belize ose Qipro. Mendohet se aty janë edhe “Sirah”, “Kara”, “Sinohidro”, “Aktor”, “Shkupi 2014” dhe shumë mega-krime të tjera nga “parajsa doganore”, e cila për qytetarët u shndërrua në ferr. Vendi e ka trefishuar borxhin publik krahasuar me dhjetë vite më parë, kurse ekonomia vendase tani radhitet në 10 ekonomitë më të dobëta në botë. Tani njerëzit më shumë i frikohen jetës sesa vdekjes. Ky është rezultati i paktit me djallin. Si duket në zemrat e prijësve pushtetarë, shqiptar e maqedonas, s’paska vend për moral, as për njeri, e as për Zot!

Tani shansi u ofrohet tjerëve. Më duket, pak ka ndryshim në kodin mental. Logjika e lypjes së pushtetit me çdo kusht duhet të nënkuptojë përgjegjësi pa kusht. Tani njerëzit i lexojnë mirë epshet e sëmura. Ashtu siç pacienti nuk ka nevojë për poezi, por për ekip profesional, edhe populli ka nevojë për shumë ekipe profesionale jopartiake. Në rastin e parë vdes një person, në të dytin vdes një popull. Besoj se jemi duke e parë atë vdekje. Andaj nuk duhet lejuar më tepër që në gërmadhat e shkatërrimit të një populli të ndërtohen kulla kriminale për politikanë të sëmurë.