Ministri i Ambientit, Sadulla Duraku, nuk harroi se është edhe nënkryetar i BDI-së, dhe e shfrytëzoi tubimin e djeshëm në kuadër të fushatës për referendum, për ti dërguar mesazh bashkëqytetarëve të tij, të rrethinës së Likovës që janë përkrahës të LSDM-së.

“Pikërisht në këtë sallë, ku jemi sot, ka qenë parti e përbashkët, shqiptarët e maqedonas… Partia komuniste, shqiptar e maqedonas. Por këtu u persekutuan arsimdashësit më të mëdhenj të këtyre trevave. Sot dëgjoj, që për një pozicion, për një komandant të policisë, për një udhëheqës diku, ndryshon dhe shkon po me ata që i persekutuan nga kjo sallë”, kishte deklaruar Sadulla Duraki, ministër i Ambientit.E kur u pyet sot, tha që nuk e ka sulmuar askënd, por tha se qytetarët duhet të votojnë në referendum, që të ndalet diskriminimi ndaj shqiptarëve.“Fjalimin tim nëse e merr dhe e dëgjon me vëmendje… Nuk është e vërtetë që e kam sulmuar partinë që është partneri i jonë i qeverisë dhe nuk e kam sulmuar askënd, por e kam thënë të vërtetën.U apeloj qytetarëve që të dalin në referendum,që diskriminimi në këtë vend të ndalet..” deklaroi Duraku.

Si sulm e kuptoi edhe anëtari i LSDM-së, nga Likova, Hadi Osmani.

Ai në fejsbuk iu përgjigj menjëherë ministrit. “Pse mund të jemi bashkë në një koalicion e nuk mundemi të jemi në një parti? Koalicioni qeveritar ku ju jeni ministër dhe unë mburrem me ju, përbehet nga LSDM dhe BDI, nga shqiptarë e maqedonas.Pse mund të kemi një Qeveri e s’mund të kemi një parti të përbashkët? I nderuar ministër, ne po punojmë BASHKë të ndërtojmë një Maqedoni, shtet dhe shoqëri të përbashkët për tëgjithë.Pse mund të kemi shtet të përbashkët dhe nuk mund të kemi parti të përbashkët?” deklaroi Hadi Osmani nga LSDM-ja.

Debati i Durakut dhe i Osmanit, si duket pati efekt edhe tek qytetarët. Sot janë thyer dy shtabe të LSDM-së në Kumanovë, kurse kryetari i Kumanovës, pyeti publikisht vandalët se përse e bënë këtë vepër./Tv21