Siç ka pohuar Mogherini në qarqet më të larta të BE’së, Brukseli po përballet me dy lloje të problemeve që kërcënojë stabilitetin e brishtë të Ballkanit Perëndimor.

Kryediplomatja europiane, Federica Mogherini, ashtu siç edhe u raportua në media në dy ditët e fundit, në përfundim të turneut të saj diplomatik në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, të bërë javën e shkuar, është tej mase e brengosur me zhvillimet në këto anë të Europës, sidomos në Maqedoni.

 

Në të vërtetë, siç i kanë thënë Politiko.net burimet diplomatike perëndimore në Prishtinë dhe në Bruksel, Mogherini është shumë më e shqetësuar sesa ka pranuar për mediat europiane, sepse kërcënimi me destabilizim të madh të Maqedonisë është shumë real, për shkak të veprimit të njohur të Presidentit të këtij shteti, Georgi Ivanov, i cili ka refuzuar që t’i ofrojë mundësi Zoran Zaevit, liderit të SDSM, që ta formojë Qeverinë e re të Maqedonisë, megjithëse ai ka siguruar përkrahjen e 67 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë.

Sipas këtyre burimeve, në rastin e Maqedonisë, por në përgjithësi, thuaja në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, siç ka konstatuar Mogherini në qarqet më të larta të BE’së në Bruksel, Bashkimi Europian po përballet me dy lloje të problemeve që kërcënojë stabilitetin edhe ashtu të brishtë të Ballkanit Perëndimor.

Problemi i parë është substancial dhe ka të bëjë me rënien evidente të kredibilitetit të BE’së, e cila, në rastin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, përcillet edhe me mungesën e ofertës konkrete, afatmesme madje, për anëtarësim në BE.

BE është klasifikuar tash e shumë vjet më pas si “fuqi e butë” (“soft power”), e cila ka joshur shtetet europiane për t’u bërë pjesë përbërëse e “klubit europian”, ndërsa realisht nuk ka pasur asnjëherë potencial të kërcënimit ndaj shteteve që janë parë si burim i tensioneve dhe problemeve të mëdha në rajon. Ky ka qenë shumë më tepër rol i NATO’s, i cili, megjithatë, jashtë skemës së BE’së është aktualisht i pranishëm vetëm në Shqipëri. Maqedonia nuk ka arritur të bëhet anëtare e NATO’s për shkak të problemit me emër, ndërsa Mali i Zi do të duhej të hynte në Aleancën Veriatlantike deri në fund të majit, fillimi i qershorit.

Problemi i dytë, i cili është spikatur nga Mogherini pas vizitës së saj që nisi me Malin e Zi dhe përfundoi me Kosovën, ka të bëjë me praninë dhe ndikimin gjithnjë e më agresiv të faktorit rus në këto anë të Europës. Edhe pse në paraqitjet e saj publike ajo ka treguar shenja të qarta të maturisë, Mogherini ka pohuar pas kthimit në Bruksel që është befasuar për të keq me demonstratën pro-ruse dhe anti-europiane të radikalëve serbë të Vojisllav Sheshelit në Kuvendin e Serbisë. Pastaj, Mogherini kishte pyetur drejtpërdrejt Presidentin e Maqedonisë, Giorgi Ivanov, për ndikimin rus në Maqedoni, të cilin Ivanov e kishte mohuar me ngulm, megjithëse realiteti flet për rritjen e këtij ndikimi në Maqedoni.

Realisht, ngjarjet në Maqedoni tani kanë marrë asi përmasa që paralajmërojnë stuhi politike në këtë shtet, dhe për më keq, së paku në rrethanat e tanishme, as Mogherini dhe as diplomatët tjerë të BE’së që merren me këtë anë të Europës, nuk dinë çka duhet të bëjnë për t’iu shmangur kërcënimeve i vijnë Maqedonisë nga brenda, nga vetë skena politike e këtij shteti.

Maqedonia i ka lënë në harresë, siç i kanë thënë Politiko.net burimet diplomatike perëndimore, rastet e trenit dhe të murit në Veri të Kosovës, të cilët në të vërtetë ishin shkaktarët kryesorë që shtyn Mogherinin ta vizitojë rajonin.

Sa i përket Kosovës, sipas këtyre burimeve, porosia kryesore e Mogherinit për politikën dhe qytetarët e Kosovës, e cila u bë publike, ishte pikërisht ajo sipas të së cilës, për të siguruar liberalizimin e vizave, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe kriteri i Ratifikimit të Ligjit për vijëzimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Mogherini ka mbërritur në Kosovë pas qëndrimit shumë problematik në Shkup, dhe pasi që kuptoi që edhe në Serbi dhe në Shqipëri, atmosfera parazgjedhore (zgjedhjet e rregullta presidenciale në Serbi dhe ato të rregullta parlamentare në Shqipëri), ka lënë në hije thuaja të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me agjendën europiane.

Si asnjëherë më parë, sipas këtyre burimeve diplomatike, Mogherini është e vetëdijshme se sa me rëndësi është që qytetarët e Kosovës të fitojnë të drejtën që të udhëtojnë pa viza në Zonën e Schengenit në Europë. Për këtë shkak, ajo nuk hezitoi që të përmendë që vetëm një hap e ndan Kosovën nga kjo e drejtë – Demarkacioni me Malin e Zi, duke konstatuar, në mënyrë të tërthortë që Brukseli është aktualisht në rregull sa i përket arritjeve të autoriteteve kosovare në përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.