Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën Milaim Zeka, ka komentuar në lidhje me vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare Serbe, në Mitrovicë.

Duke folur në një prononcim, deputeti Zeka është shprehur i bindur se Ivanoviq është vrarë në mënyrë absolute nga Qeveria e Beogradit.

Ai ka thënë po ashtu se Xhemajl Mustafa, bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit Ibrahim Rugova, është vrarë nga shqiptarët.

Sipas tij, qëllimi i Serbisë është krijimi i një lufte qytetare në Kosovë dhe që të përsëriten trazirat e marsit të viti 2004.

“Ky është mendim, opinion i imi që Ivanoviqin e kanë vrarë në mënyrë absolute Qeveria e Beogradit. Shqiptarët dinë të vrasin vetëm shqiptarë. Kurrë historikisht shqiptarët nuk kanë vrarë serbë. Sikur që mendoj një milion për qind që Xhemajl Mustafën e kanë vrarë shqiptarët, ashtu mendoj se Oliver Ivanoviqin e kanë vrarë serbët, për të krijuar luftë qytetare në Kosovë, për të krijuar luftë civile që të përsëritet viti 2004”, ka deklaruar Zeka.

Deputeti i Nismës ka hedhur kritika ndaj Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), duke thënë se ajo nuk merret me punët se e sigurisë së Kosovës, mirëpo sipas tij, “AKI-ja, shantazhon deputetët, gazetarët dhe intelektualët përmes përgjimeve me gjëra private të tyre.”

E ndërkaq, për Qeverinë serbe, Zeka ka thënë se ajo e din edhe për 10 vitet e ardhshme se si do të “luajë me shqiptarët”.

“Qeveria serbe në projektet e veta, sot e 10 vjet e din qysh ka me luajtur me shqiptarët, sot e 10 vjet, jo sot e 10 ditë apo sot e 10 javë, për arsye se AKI-ja, Shërbimi Informativ Kombëtar i Kosovës, nuk është formuar për siguri të vendit, por si me na përgjuar neve, a po takohemi me dashnore, domethënë me na shantazhuar. AKI-ja është institucion me i shantazhuar deputetët, gazetarët, intelektualët, me këqyr kush me kënd po bën seks, kush me kënd po pi kafe, nuk është AKI-ja agjencion me këqyr kush po punon për Serbinë”, është shprehur më tej Zeka.

I pyetur nga gazeta, nëse vrasja e Ivanoviqit mund të lidhet edhe me aktakuzat e Gjykatës Speciale, deputeti ka thënë se këtë e din presidenti serb, Vuçiq, të cilin e ka akuzuar për këtë vrasje.

Ai ka folur edhe për bizneset e “kundërligjshme” të shqiptarëve dhe serbëve në veri të Mitrovicës, derisa ka kujtuar deklaratën e disa ditëve të mëhershme të Ivanoviqit, se atë do ta vrasin serbët e jo shqiptarët.

“Se di unë atë teori të konspiracionit, nuk i di ato, ato i din Vuçiqin, veç jam shumë i bindur që vrasjen e Ivanoviqit e ka bërë Qeveria e Beogradit, vrasjen e Ivanoviqit e ka bërë linja e Vuçiqit. Vet Ivanoviqi ka thënë para disa ditëve se mua kanë do të më vrasin serbët, nuk ka thënë kurrë që do të më vrasin shqiptarët, se shqiptarët kanë bërë biznes me ta.

Biznesi më i madh në veri të Mitrovicës, bëhet mes shqiptarëve dhe serbëve, në këtë krim janë krejt bashkë. Por, vrasja e Ivanoviqit është vrasje politike dhe vrasjet politike i bën vetëm Beogradi”, ka shtuar për “Bota sot”, deputeti i Nismës, Milaim Zeka