Shkruan Prof. Dr. Vebi Bexheti

Sot kemi festë dhe pa fije dileme duhet të festojnë të gjithë shqiptarët. Sot festojmë për Kosovën, për këtë plagë që mezi u mbyll para 10 vitesh. Kosova sot gdhiu mes buzëqeshjes dhe vajit. Ishte e buzëqeshur sepse sapo shkeli në dekadën e parë të lirisë, ndërsa me lot, për bijtë e vet që nuk arritën ta përjetojnë këtë Jubile, 10 vjetorin e parë të Kosovës së lirë. Sot, të dashur vëllezër shqiptarë, kudo që ndodheni e frymoni shqip dhe të gjithë Ju miqtë e mëdhenj të Kosovës që të bashkuar me veprime politike diplomatike e ushtarake e ndihmuat luftën për këtë liri, nuk do flasim për dobësitë e faktorit politik shqiptarë e as për udhëheqjen më të lartë të Kosovës, sepse kemi kohë për të folur edhe për defektet e të metat e kësaj faze të shtetndërtimit, për fenomenet që në masë të madhe e dëmtojnë imazhin e këtij shteti më të ri në Evropë, ashtu siç do vazhdojmë të flasim edhe për të arriturat dhe sukseset jo edhe të vogla e të prekshme për qytetarët e saj.

Pavarësia e Kosovës rrënjët i ka në thellësitë historike dhe brenda luftës shekullore, madje që në periudhën e Ilirisë. U deshën mijëra vite përpjekjeje, sakrifice e luftrash të përgjakshme me armiq të ndryshëm shumë më të fortë e në aleanca të mëdha, për të ardhur në këte ditë të bukur, që si duket e mundi edhe acarin e ,,Dimrit të madh”. Kjo përpjekje e madhe, pas shumë e shumë viktimizimesh, heroizmash e fitoresh të pjesshme, synim e kishte themelimin e Shtetit shqiptar dhe pavarësinë në tërë shtrirjen natyrore gjeografike, prandaj Fishta i madh në poezinë kushtuar njëvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e fton Zanën të qajnë së bashku e jo të këndojnë sepse sipas tij nuk ishte kohë për këngë. Ai në vargjet më artistike e më domethënëse që janë shkruar ndonjëherë për momentet kyçe të rrugëtimit të lëvizjes kombëtare, të poezisë 28 NANDUER, e shprehu dilemën nëse ishte kohë kënge apo vaji. ,,Oj Zanë t’këndojm, t’ vajtojm desha me thanun; Pse sod ditë kanget s’asht për mue e tye”. Sot, të dashurit e mi, Kosova nuk është ajo e kohës kur u shkruan këto vargje ontologjike do thoja, për ndarjen e madhe të tokave shqiptare. Sot, megjithate duhet të këndojmë bashkë me Zanën e Fishtës për Kosovën e cila me gjithë plagët që i ndjen ende, qëndron vertikalisht në këmbët e veta.

Shikuar nga e kaluara historike, me gjithë vuajtjet nën robërinë e sunduesve të njëpasnjëshëm, nga ai romak e deri te ky i fundit, më i egri ,ai serb, shqiptarët ishin ata që donin ta bënin shtetin e vet, shqiptarët e bënë Shqipërinë edhe pse të cunguar. Shqiptarët, kuptohet, bashkë me aleatët më besnik SHBA-të, e bënë Kosovën shtet të lirë dhe të pavarur, shqiptarët e Maqedonisë, të Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi, edhe sot vazhdojnë me luftën politike për të drejtat e tyre të barabarta me të tjerët. Kosova sot ështe shteti i dytë i shqiptarëve, me garancë të plotë për të drejtat e pakicave tjera. Shtetasit e Kosovës janë shqiptarët dhe pakicat tjera që jetojnë aty. Edhe në këtë vit jubilar të Pavarësisë së Kosovës, po u themi qartë ithtarëve të kombit politik dhe qarqeve antishkencore e antihistorike që i përkrahin ato, se ekziston vetëm një komb shqiptar, ndërsa emërtimet në bazë të krahinave janë diçka tjetër, shumë më pak se një komb, prandaj nuk ka logjikë që vetëm kosovarët t’i quajmë komb, nga shkaku se një grusht njerëzish, kushedi për çfarë interesash dëshirojnë të shpikin një komb të ri duke menduar se po e ,, zbulojnë Amerikën”. Të nderuar shqiptarë, emëtimet si: çamë, labër ,himariotë, muzeqarë, dibranë, lurjanë ,matjanë dugagjinas, kosovarë drenicas, rugovas dhe shumë emërtime tjera me prejardhje të një rajoni të caktuar, janë vetëm vlera e jo hendikep, prandaj nuk ka nevojë ta pëziejmë këtë pasuri sociolinguistike me politikën dhe shtetformimin e Kosovës, kur dihet se Kosova si rajon (Rrafshi i Kosovës) asnjëherë nuk ka qenë e shtrirë në tërë hapësirat e Kosovës së sotme si shtet.

Sot për Kosovën duhet të festojmë të gjithë, sepse ky vit jubilar edhe u takon të gjithë shqiptarëve, kur dihet mirëfilli se Pavarësia e këtij shteti të dytë shqiptar, ishte pjesë e përpjekjeve për fitoren e madhe që një ditë patjetër duhet të vijë, prandaj është mirë ta ftojmë Zanën që të këndojmë bashkë, sepse sot nuk është ditë vaji, zënke e gare se kush është më tradhtar e kush më patriotë, sot është festë e madhe gjithëkombëtare. Gëzuar 10 Vjetorin e Pavarësisë Kosovë, gjaku ynë që nuk falesh!