Borxhi publik i Maqedonisë vazhdon të rritet dhe sipas të dhënave të qendrës kërkimore të Akademisë së Shkencave, ai arrin në më shumë se 4 miliardë e 200 milionë euro, apo më shumë se 50 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Sipas një orëmatësi të qendrës akademike, në çdo sekondë borxhi rritet me nga tre euro. Ekspertët thonë se vendi po futet në krizë të thellë financiare andaj edhe kërkojnë rishikimin e politikave ekonomike, apo heqje dorë nga borxhi, pasi në të shumtën e rasteve borxhi merret për të shlyer borxhet e vjetra, apo për harxhime jo produktive që do të kenë pasoja ndaj stabilitetit financiar të vendit si dhe mirëqenies sociale të qytetarëve. “Këto të dhëna vijnë nga Banka Botërore, e cila i merr nga Ministria e Financave, kështu që të dhënat tona janë të sakta.

Në një afat të mesëm, apo më të gjatë duhet të fillojmë me konsolidimin fiskal , që borxhin ta ulim në suaza normale”, thotë Akademiku Taki Fiti, i cili më parë ka qenë edhe ministër i Financave. Nga ana tjetër, Sllobodan Najdovski, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se qeveria po tregohet e paaftë për të realizuar buxhetin andaj edhe është përqendruar në politikën e borxheve, të cilën, siç thotë, po e realizon me ndihmën edhe të mediave të afërta me pushtetin.

“Të rinjtë duke mos pasur asnjë lloj perspektive po ikin nga Maqedonia. Kostoja e dytë është ajo e borxheve dhe këtu mund të ndodhë që njerëzit të ngelen edhe pa shtëpi, pa banesa të detyruar të shlyejnë borxhet që faturohen në konton e tyre. Cila do qeveri e ardhshme që do të vjen, ajo duhet të jetë e detyruar në ndryshimin e politikave fiskale, në shkurtimin e harxhimeve publike, flasë për atë qeveri e cila politikat e saj i ka të bazuar në sinqeritet”, thotë Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

©fol.mk