Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, përshëndeti sot votimin përfundimtar të Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti i Maqedonisë duke theksuar se “kontributi i partive politike shqiptare edhe njëherë u dëshmua si faktor vendimtar”.

Bushati shprehet se ky votim është demonstrim i qartë i vullnetit të politikës për të hapur rrugën drejt NATO-s dhe BE-së.

“Votimi përfundimtar i Marrëveshjes së Prespës nga Parlamenti është një demonstrim i qartë i vullnetit të politikës për të hapur rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Kontributi i partive politike shqiptare edhe njëherë u dëshmua si faktor vendimtar. Urime!”, thekson Bushati.

Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë ranë sot dakord për të riemërtuar vendin e tyre “Republika e Maqedonisë së Veriut”, një votim historik që u mbyll me një shumicë prej dy të tretash, duke i hapur rrugën një zgjidhjeje të mosmarrëveshjes me Greqinë.