Futbollisti shqiptar i Levantes, Enis Bardhi, është duke e sfiduar mjaft mirë yllin e Barcelonës, Lionel Messin, në aspektin e shënimit të golave nga gjuajtjet e lira.
Bardhi, shqiptari nga Maqedonia, është në kërkim të rekordit të Messit për më së shumti gola nga gjuajtjet e lira, transmeton Gazeta Express.

Messi me gjashtë gola është vetëm një gol para Bardhit, një gjeniut tjetër që goditjet e dënimit i ka specialitet, i cili ka shënuar pesë herë këtë sezon dhe dëshiron më shumë.

Në fakt, Bardhi ka shënuar tri herë nga tri tentimet e fundit nga gjuajtja e lirë.Kundër Athletic Bilbaos, mesfushori i Levantes shënoi dy herë brenda dy minutave nga pozita e njëjtë duke ia siguruar skuadrës së vet tri pikë të plota.

Momentalisht, Bardhi është ekzekutuesi i dytë më i mirë në La Liga falë saktësisht së tij vdekjeprurëse dhe po ashtu i treti në Evropë në dekadën e fundit.

Bile, asnjë specialist i goditjeve të lira nuk ka saktësisë më të mirë se Bardhi, i cili i ka shënuar pesë gola nga 16 tentime nga gjuajtja e lirë, me një saktësi prej 31.25 për qind.

Ndërkohë, nëse Messi shënon edhe një gol nga gjuajtja e lirë para përfundimit të këtij sezoni, atëherë ai do ta kalojë Hakan Calahanoglun, i cili në sezonin 2014/15 i kishte shënuar gjashtë gola nga goditja e lirë.

Bashkë me Messin, turku është lojtari i vetëm që ka arritur t’i shënojë gjashtë gola nga goditja e lirë brenda një sezoni në top pesë ligat evropiane.