Së shpejti do të hyjë në funksion veçoria e Facebook e cila ju lejon t’i ç’dërgoni mesazhet në aplikacionin Messenger, deri në 10 minuta pasi t’i keni dërguar.
Planet për veçorinë e re u bënë të ditura në përditësimin e fundit të aplikacionit, i cili u bë i disponueshëm për përdoruesit e iPhone dhe iPad të martën.

Në shënimin e përditësimit shkruhej: “Së shpejti: Fshijeni mesazhin nga biseda pasi të jetë dërguar. Nëse e keni dërguar aksidentalisht foton e gabuar, informacionin e gabuar apo mesazhin e gabuar, tani mund ta përmirësoni atë duke e fshirë mesazhin deri në 10 minuta pasi ta dërgoni atë”.

Një prototip i veçorisë së fshirjes apo ç’dërgimit të mesazhit është parë nga Jane Wong, e cila shpërndau fotografitë në Twitter që shpjegon se si do të funksionojë veçoria e re, transmeton Gazeta Express.

Ajo shkroi: “Facebook Messenger më në fund po punon në “Unsend Message” në aplikacion për të gjithë!”. Fotografitë tregojnë se si zgjedhet një mesazh dhe më pas përdoruesi mund ta prekë opsionin ‘unsend’ ose ‘delete’ për ta larguar.