Për fillimin e vitit të ri shkollor tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet. Drejtues të shkollave tregojnë se për dy javë rresht kanë hartuar planprogramet mësimore dhe kanë bërë grumbullimin e teksteve shkollore të përdorura për nxënësit e arsimit të mesëm të ulët. Po ashtu nëpër shkolla janë shpërndarë edhe librat e rinj për fëmijët në arsimin fillor.

Mësuesja e ciklit fillor, Bahtije Rafuna për nxënësit e klasës së saj tashmë e ka të gatshëm planprogramit mësimor madje i ka marrë edhe të gjitha librat të cilat do iu shpërndaj fëmijëve ditën e hënë.

Të gjitha këto përgatitje i kanë filluar tash e dy javë, që sipas saj viti i ri shkollor të startojë sa më mbarë.

Derisa për mësuesen Bahtije gjithçka është gati për një fillimvit të mbarë, mësimdhënësja e ciklit të arsimit të mesëm të ulët, Minire Berisha tregon se kanë vështirësi në mbledhjen e librave nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, pasi që shumë prej tyre janë të dëmtuara. Madje ajo tregon se fletoret e punës të cilat janë të plotësuara tërësisht nuk janë zëvendësuar me të reja.

E udhëheqësit e shkollës fillore në kryeqytet “Ismail Qemali” tregojnë se për mungesën e disa teksteve dhe të fletoreve të punës për nxënësit në arsimin e mesëm të ulët i kanë njoftuar drejtuesit e arsimit, nga të cilët presin që kjo çështje të zgjidhet gjatë vikendit.

Edhe këtë vit shkollor librat do të shpërndahen falas nga Ministria e Arsimit, por libra të ri shkollor janë blerë vetëm për nxënësit në arsimin fillor. Derisa nxënësit në arsimin e mësmëm të ulët do t`i shfrytëzojnë librat e përdorura nga gjeneratat e kaluara. /RTK