Fitorja e forcave të reja politike në zgjedhjet vendore në Maqedoni, sidomos e atyre shqiptare, e largon vendin nga influenca serbe e ruse dhe e forcon orientimin perëndimor dhe euroatlantik të Maqedonisë, me këtë edhe të popullit shqiptar në këtë shtet dhe jo vetëm.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore në Maqedoni, nuk do të zhvillohet garë mes partive, por mes koncepteve politike, për mbrojtjen e vlerave demokratike, orientimit perëndimor dhe euroatlantik të Maqedonisë, si dhe në interes të popullit shqiptar në këtë shtet dhe jo vetëm.
Nëse BDI deri më sot është përkrahur nga shumica e qytetarëve shqiptarë që të qeveris për disa mandate me radhë, pavarësisht se me cilën parti maqedonase ka qenë në koalicion, përfshirë edhe bashkëpunimin me politikanët më antishqiptarë në këtë shtet, Cërvenkovskin, Gruevskin, Fërçkovskin, Boshkovskin, Mijallkovin etj., pse atëherë të mos përkrahet kësaj radhe koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, të cilat u prijnë aktualisht forcave të reja politike të shqiptarëve në Maqedoni?!
Nëse kritikat e disa individëve për interesa personale dhe njohësve të dobët të rrjedhave politike globale, përqendrohen kryesisht në të kaluarën politike (partiake) të disa drejtuesve të këtyre partive, ua përkujtojmë se, as LSDM-ja kurrë në historinë e pluralizmit nuk e ka qeverisur qytetin e Shkupit dhe disa komuna të tjera të rëndësishme në Maqedoni, ndërsa në raport me shqiptarët ka promovuar politika tejet negative, megjithatë, mbështetja ndaj lidershipit aktual të kësaj partie nga faktorë të jashtëm ia kanë siguruar këtë fitore absolute në zgjedhjet vendore të fundit.
Qytetarët shqiptarë duhet të besojnë fuqishëm se forcat e reja politike të shqiptarëve e kanë përkrahjen po nga këta faktorë, me orientim perëndimor dhe euroatlantik, prandaj duhet të luftojnë fuqishëm për ndryshime dhe reforma, duke i hapur rrugë zgjidhjes së çështjes së pazgjidhur shqiptare, sidomos avancimit të statusit juridik-kushtetues, nga pakica kombëtare në popull shtetformues.
Goditja e fiqishme e strukturave të vjetra në nivel të pushtetit vendor, sidomos në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve, do të jetë hapi i parë dhe i domosdoshëm që duhet ta bëjnë shqiptarët në Maqedoni, ndërsa në vazhdim do të jenë të domosdoshëm edhe hapa të tjerë, për riorganizimin, bashkimin, konsolidimin dhe forcimin e lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Abdulla Mehmeti
(18.10.2017)