Askush nuk na i ka bërë!

As serbët, as jeniçerët, as hunët, as ostrogotët, as zombit, as megalidhea, askush, të gjithë kanë qenë ëngjëj përpara asaj që po ndodh sot në shpirtin e shqiptarit.

Mirë po mirë, gazetaria, politika, vetingu, ping-pongu,e më e the e të thashë.

Po që shqiptari dëgjon e lexon të gjithë ditën, sa lind e deri sa vdes, nga mëngjesi në darkë, para dhe pas buke, në kafene, në shtrat, në rrojtore, kudo vetëm fjalë poshtërsisht çnjerëzore, për këtë kush e ka fajin, kush e ka përgjegjësinë?

Drogë,
vrasës,
hajdut,
incestual,
trafikant,
mafioz,
i korruptuar,
debil,
shërbëtor,
vjedhje,
rrëmbim,
atentat,
shpërthim,
minë,
krim,

Si është ndyrë fjalori i shqipes në jetën publike?

Pa kultura, jokultura, akultura e vrau këtë popull.

I vranë shpirtin.
E ashpërsuan.
E thanë.
E larguan nga bota e shpirtit dhe e artit.
I morën traditat.

Dhe ai ikën, ikën, ikën.

E keni pyetur përse ikën?
Nuk ikën si italiani nga një qytet në një qytet tjetër,
nuk ikën për të ardhur jo,
as për të marrë kulturë,
as për të fituar profesione dhe riardhur me kaçavida në dorë për të punuar.

Ikën nga sytë këmbët si një grua e re ikën me këmishë nate nga kasollja në pyll sepse e rreh burri.

Ikën se nuk duron dot më,  si ai fëmija që pasi dëgjon prindërit që i gjuajnë njeri tjetrit me çfarë kanë në dorë, mbyll veshët, hap derën dhe duke qarë ikën në dëborë nga sytë këmbët.