Kohëve të fundit shumë funksionarë të BDI po i vardisen dhe po afrohen me LSDM dhe lidershipin e saj, duke raportuar për zhvillimet e brendshme brendapartiake dhe koketime e spiunime mes funksionarëve.

Lajmi bëhet i ditur për INA nga një funksionar i lartë i partisë së Ali Ahmetit, që nuk mohon një gjë të tillë.

“Po ka zëra të tillë, por gjithçka është joformale dhe jokorrekte. Mund të ketë raste të raportimeve zyrtare të punëve, pasi që Zaev është shef i Qeverisë. Por nuk mund të flas për gjëra të tjera që mund të jenë spekulative dhe me përjashtime”, thotë zyrtari i lartë i BDI-së.

Punonjës të Qeverisë thonë për INA se gjatë periudhës së fundit shpesh janë parë funksionarë të lartë të BDI-së, duke shkuar në mënyrë individuale tek Zaev, dhe se nuk dihet qëllimi i këtyre vizitave.

Në komisionin zyrtar për negociata për ndarje të resorëve dhe shqyrtimin të prioriteteve të koalicionit janë zv/kryeministri Hazbi Lika, ministri Sadulla Duraku dhe dy tre funksionarë të tjerë. Por nga ana tjetër, janë edhe disa resorë të tjerë që mbajnë komunikim me kryeministrin, siç është i njohur sekretariati për eurointegrime dhe zv/kryeministri Bujar Osmani, që ka pasur rol kyç në procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit. (INA)