Një ditë pas tragjedisë në Zvërnec të Vlorës, ku 3 të rinj humbën jetën pasi u rrëmbyen nga rrymat detare, gazetari i News24 dhe “BalkanWeb” Enrik Mehmeti bën një paralajmërim duke shpjeguar edhe shkaqet e ngjarjes së djeshme.

Ai thotë se në gjirin e PortoNovës ku u mbytën tre të rinjtë ka rryma shumë të forta që të tërheqin drejt thellësisë dhe për ata që nuk janë notarë të sprovuar kjo është shumë e rrezikshme.

Ai këshillon që në raste të tilla, ata që nuk e njohin mirë detin nuk duhet të shkojnë më thellë se sa niveli i gjoksit të tyre dhe nëse rrëmbehen nga rryma, duhet të ruajnë qetësinë.

“Marr shkas nga tragjedia e fundit e ndodhur në gjirin e Porto Novës në zonën e Zvërnecit ku humben jetën 3 persona.

Dua t’u them gjithë miqve të mi që mund t’u bjerë rasti të bëjnë plazh në atë gji, që të keni shumë kujdes nëse nuk jeni notare të sprovuar. Në atë zonë shpesh ka rryma shumë të forta që të tërheqin drejt thellësisë.

Të gjithë ata që nuk janë notare me rezistencë të lartë ose që nuk e njohin mirë detin, të mos shkojnë më thellë sesa niveli i gjoksit të tyre.

Ky fenomen ndodh edhe në zona të tjera, dhe është shkaku kryesor i rasteve ku njerëzit mbyten duke u larë në det.

Nëse ju ndodh, mos e lini veten që t’u kape paniku, kjo është fatale! Ruani qetësinë dhe nëse nuk notoni dot kundër rrymës, lëreni atë t’u marrë me vete, pasi nuk do t’u largojë shumë metra, mbase disa dhjetëra, dhe prej aty, pasi të keni mbledhur forcat dhe marrë veten, notoni me zig-zage në drejtim të bregut më të afërt”, shkruan gazetari Mehmeti.