Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd, ia ka refuzuar vizën shefit aktual të ushtrisë serbe Lubisha Dikoviq, pasi që është përgjegjës për krime lufte gjatë luftës në Kosovë, e jo për shkak të afërsisë së tij me Rusinë, kanë deklaruar për “Danas”, Nemanja Stjepanjoviq, studiues i Fondit për të Drejtat Humanitare, si dhe Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

“Autoritetet serbe kanë publikuar informacionin se arsyeja e refuzimit të vizës është afërsia e tij me Rusinë dhe pjesëmarrja në ushtrimet ushtarake të forcave ruse-bjelloruse, kurse më pas Dikoviq ka deklaruar publikisht: Jam i pastër, kurrfarë krimi nuk kam kryer e as urdhëruar”. Duket se shefi i ushtrisë serbe di diçka që autoritet nuk dinë, por ai dyshon se refuzimi i vizës ka të bëjë me të kaluarën e tij dhe se është i njollosur me krimet e luftës”, ka shtuar Stjepanoviq, transmeton Telegrafi.

Sipas Stjepanoviq, Fondi për të Drejtat Humanitare prej kohësh ka paralajmëruar për pjesëmarrjen e brigadës së 37-të të ushtrisë Jugosllave nën komandën e Dikoviqit, për sulmet e kryera në fshatrat ku janë kryer krime lufte ndaj civilëve shqiptarë.

“Shumë herë kemi thënë se një person me karrierë të tillë nuk do të duhej të ishte në krye të ushtrisë së një shteti që pretendon të jetë demokratike”, ka shtuar Stjepanoviq.

“Për këtë arsye nuk jemi të befasuar me vendimin që i është refuzuar viza amerikane. Se arsyeja që SHBA-të i refuzuan vizën për shkak të afërsisë me Rusinë nuk qëndron aspak, këtë gjë më së miri e dëshmon fakti se presidenti amerikan Donald Trump se fundi ka ftuar dy politikanë nga Serbia në Lutjet e mëngjesit, të cilët nuk e fshehin simpatinë dhe lidhjet me politikën dhe shtetin rus – siç është Ministri i Punëve të Jatshme, Ivica Daçiq dhe Ministri pa Portofol në qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq. Për këtë arsye jam i prirë t’i besojë Dikoviqit, i cili konsideron se e kaluara e tij e papastër është arsye e refuzimit të vizës”, ka thënë për fund Stjepanoviq.