Hollivudi po bëhet gati për ceremoninë e “Golden Globes”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në kalendarin e botës kinematografike. Ajo është parë tradicionalisht si një tregues, se cilat filma do të shkëlqejnë në ceremoninë e çmimeve “Oscar”.

“La La Land”, një “musical”, është mes pretendentëve kryesorë me 7 kandidatura për “Globin e Artë”, i ndjekur nga “Moonlight” me 6 kandidaura dhe “Manchester By The Sea” me 5 të tilla.

Fituesit do të shpallen në Los Angeles, në një ceremoni të drejtuar nga Jimmy Fallon. “La La Land”, me protagonistë Ryan Gosling dhe Emma Stone, tregon historinë e një pianisti Jazzi dhe një aspiranteje për aktore, të cilët po ndjekin ëndrrat e tyre drejt famës në Los Angeles.

Ndër të tjera, filmi garon për çmim në kategorinë e “komedisë ose musicalit më të mirë”, e gjithashtu për “skenarin dhe regjinë më të mirë”. Sa i përket trofesë më të lakmuar, atë të “filmit më të mirë dramatik”, pretendentët kryesorë janë “Moonlight” dhe “Manchester By The Sea”.

“Moonlight” tregon historinë e një të riu me ngjyrë që rritet në një lagje të varfër të Miamit, dhe nominohet gjithashtu edhe për regjinë, skenarin dhe aktorët më të mirë në role dytësore. Ndërkaq “Manchester By The Sea”, me protagonistë Casey Affleck, Michelle Williams dhe Lucas Hedges, është vlerësuar më herët si filmi më i mirë i vitit nga Bordi Kombëtar i Kritikës.

Ceremonia nis në orën 01:00 të së hënës, sipas kohës sonë.