Sëmundjet e zemrës janë ende sëmundjet më të shpeshta që shfaqen te ne. Këto sëmundje mund të jenë të lindura ose të fituara. Nga sëmundjet e zemrës duhet të veçohen sëmundjet e arterieve koronare, që kanë një rëndësi të veçantë. Këto sëmundje manifestohen me ngushtim ose mbyllje të enëve të gjakut të zemrës.

Ngushtimi i enëve të gjakut të zemrës shkakton një furnizim jo të plotë të zemrës me gjak, si pasojë e së cilës shfaqen dhimbje gjoksi, shpine ose dhimbje tipike të krahut dhe dorës së majtë.

Pengesa në frymëmarrje, lodhje, çrregullime ritmi ose ndjenja e një ngushtimi (angina) në gjoks janë shenja që nëse shfaqen duhet menjëherë të paraqiteni në spital. Diagnostikimi sa më i shpejtë në këto raste është thelbësor. Diagnoza e shpejtë dhe trajtimi sa më i shpejtë mund t’jua shpëtojë jetën. Çdo minutë e humbur në këto raste mund të ketë pasoja fatale. Infarktet e zemrës janë sëmundje të rrezikshme që kërkojnë diagnostikim dhe intervenim të shpejtë.

Diagnostikimi bëhet me EKG, analiza laboratorike, ehokardiografi dhe ajo që është standardi i artë “Goldstandard“ është koronarografia. Vetëm pas koronarografisë mund të diagnostikohen ose të eliminohen këto sëmundje të arterieve koronare.

Te ne në Spitalin Amerikan sëmundjet e zemrës diagnostikohen në kohë rekorde. Trajtimi i tyre bëhet sipas rekomandimeve ose udhërrëfyesve aktualë evropianë dhe amerikanë. Në Spitalin Amerikan në Kosovë është gjithmonë i gatshëm ekipi i zemrës që përbëhet nga kardiologë dhe kardiokirurgë, të cilët bashkërisht vendosin për mënyrën, kohën dhe trajtimin konform rregullave më të reja mjekësore.

Intervenimet kardiologjike në formë të ballonimit ose stentimit realizohen menjëherë gjatë koronarografisë.

Intervenimet kardiokirurgjike në formë të operacionit (bypas-it) realizohen në varësi të rastit, po ashtu edhe me ndërhyrje të menjëhershme. Trajtimi i rasteve urgjente te ne mbulon 24 orë në ditë, gjatë 7 ditëve të javës duke mbuluar gjithë vitin dhe të gjitha festat.

Operacionet kardiokirurgjike në zemër te ne janë të një cilësie të lartë dhe të veçanta nga të gjitha qendrat tjera në Ballkan. Operacionet e bypas-it te ne bëhen në zemër të rrahur, pa makinën ekstrakorporale. Gjaku i pacientit qëndron në trupin e tij, zemra nuk ndalon së rrahuri dhe njëkohësisht bëhet bypas-i. Këtë metodë të operimit OPCAB nuk mund ta realizojë secili. Kjo metodë pune kërkon një trajnim të veçantë për kirurgun dhe një koordinim të hollësishëm mes kardiokirurgut dhe anestezistit. Metoda e operimit në zemër të rrahur është shumë më fiziologjike, humbja e gjakut është minimale, mundësia e një infarkti në tru është pothuajse zero. Pacientët rikuperohen shumë më shpejt dhe bypas-et qëndrojnë për një kohë shumë më të gjatë hapur sepse në përdorim janë vetëm arteriet për bypas pa marr venat nga këmbët. Te ne mbi 95 % e operacioneve bëhen në zemër të rrahur dhe me arterie.

Trajtimi i pacientëve postoperativ është shumë i rëndësishëm. Stacioni intensiv në Spitalin Amerikan ka aparatura moderne dhe trajtimi medikamentos bëhet sipas protokolleve evropiane.

Kardiokirurgjia te ne mbulon gjithë spektrin e operacioneve në zemër. Zëvendësimi i valvuleve të zemrës ose riparimi i valvuleve të zemrës janë ndërhyrje tjera kirurgjike të rëndësishme që te ne bëhen me rezultat të shkëlqyer. Tani së shpejti këto operacione do të bëhen edhe me prerje minimale pa hapur fare gjoksin.

Implantimi i pacemaker, defibrillatorëve ose CRT realizohet po ashtu te ne, duke ofruar këtë shërbim 24 orë.

Kirurgjia e aortës pas çarjeve të saj është tjetër ndërhyrje e komplikuar që te ne realizohet me rezultate shumë të mira të krahasuara me qendrat më të mira të zemrës në Evropë.

Kardiologjia dhe kardiokirurgjia janë fusha mjekësore që mbulojnë sëmundjet më të shpeshta që janë ato të zemrës. Sipas statistikave të vitit 2016, në Gjermani një spital i zemrës duhet të bëjë rreth 700-800 operacione në vit për 1 milion banorë. Në vitin 2016 në 78 qendra të zemrës në Gjermani janë bërë 103 128 operacione në zemër për 82.67 mil. banorë që ka Gjermania, që i bie se një spital i zemrës ka realizuar 801 operacione. Vdekshmëria ka qenë për bypas 2,4 % dhe për valvule deri në 4,3 %.

Intervenimet kardiologjike në vitin 2016 në Gjermani kanë qenë 897 939 koronarografi në 841 qendra të kardiologjisë, që i bie 1067 koronarografi për çdo spital. Vdekshmëria te sindromi akut koronar në këtë vit në Gjermani ka qenë deri në 4,5 %, rastet tjera me një vdekshmëri prej 0,38 deri 1,57 %.

Kosova në vitin 2016 ka pasur 1 816 000 banorë, çka do të thotë se të paktën në Kosovë do të duhet të bëhen 1400 operacione dhe rreth 2100 koronarografi në vit.

Ky numër i ndërhyrjeve është i paarritshëm për shërbimin kosovar publik.

Listat e pritjes në kardiokirurgji dhe kardiologji në Kosovë tregojnë se ky shërbim është i mangët dhe nuk ka kapacitet për të mbuluar gjithë këtë numër të operacioneve, koronarografive, që te ne janë edhe më të shpeshta, duke ditur se faktorët e rrezikut janë edhe më të lartë. Ky shërbim duhet rritur, qoftë me hapje të ndonjë spitali tjetër të zemrës ose me bashkëpunim publiko-privat. Vdekja e pacientëve në lista të pritjes është papërgjegjësi e madhe dhe barrë që bie mbi të gjitha organet organizative, drejtuese dhe këshilluese të gjithë zinxhirit shëndetësor kosovar.

Spitali Amerikan merr pjesë aktive në hulumtimin dhe zbulimin e teknikave mjekësore të reja për kurimin e pacientëve, si edhe në përkujdesjen e tyre. Të gjithë njerëzit mund të jenë subjekt i prekjeve nga këto lloj simptomash dhe sëmundjesh, sidomos ato të zemrës, prandaj të gjithë janë të ftuar të konsultohen me mjekët tanë specialistë me qëllim parandalimin dhe kurimin në kohë të këtyre sëmundjeve.