Deputeti i OBRM-PDUKM-së, Vllatko Gjorçev, në emisionin “Top Tema” në TV Telma tha se OBRM-PDUKM-ja ka qëndrime të qëndrueshme për dallim nga LSDM-ja, e cila sipas tij, së bashku me disa OJQ sillen si degë të qeverisë së Zoran Zaevit.

Gjorçevi tha se OBRM-PDUKM-ja ka qëndrime që mbështeten nga shumica e qytetarëve. Ai iu referua qëndrimit të qytetarëve rreth martesës së gjinisë së njëjtë, ku tha se do të jenë në kundërshtim të një ligji të tillë.

“Ky qëndrim i OBRM-PDUKM-së është konzistent dhe i përhershëm, i mbështetur nga shumica e qytetarëve në Maqedoni. Njëkohësisht askënd nuk duam ta diskriminojmë, as nuk duhet të ketë gjuhë të urrejtjes dhe askush nuk duhet të jetë i kufizuar”, tha Gjorçev.

Ai tha se brenda LSDM-së duhet së pari të zgjidhin problemet kush për çfarë është. Ai akuzoi nënkryetarin e LSDM-së, Muhamed Zekiri, për përhapje të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBT.