Me miratimin e Ligjit për gjuhën (shqipe) në Maqedoni shumë krerë të lartë politikë shqiptarë mezi pritën që të shpreheshin se kjo shënonte një fitore të shqiptarëve në Maqedoni, madje e trajtuan si fitore edhe në plan kombëtar. Kjo gjë me siguri do të shoqërohet edhe me falënderimet dhe përgëzimet e ndërsjella mes liderëve shqiptarë, por edhe me liderët maqedonas.

Duke e parë ligjin në tërësi, nuk mund të mos shtroj disa çështje, si: Së pari, a quhet fitore e demokracisë një e drejtë natyrore e institucionale, e sanksionuar në konventat ndërkombëtare?

Së dyti, me këtë ligj a u arrit gjë tjetër më shumë se ajo gjë që shumë vite më parë u njoh me emrin “Marrëveshja e Ohrit” midis partive politike në Maqedoni?

Së treti, dhe më kryesorja, a u ktheu ky ligj shqiptarëve atë që u takon, si popullsi shtetformues?

Së fundi, a ka arsye për t’u lumturuar e ekzaltuar, e ca më shumë, për ta paketuar këtë ligj si fitore? Ta themi qysh në fillim se klasa politike maqedonase, përfshi edhe partitë shqiptare duhet të bënin një mea culpa të madhe për zbatimin e vonuar të një detyrimi ligjor, që vinte si rezultat i Marrëveshjes politike të Ohrit.

Kjo do të thotë se nuk kemi asnjë avancim substancial përtej çfarë parashikohej në këtë Marrëveshje shumë vite më parë. Nëse për vetë kohën dhe kushtet kur u nënshkrua Marrëveshja mund të konsiderohej si hap ndjellamirë për bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni, sot mund të themi se ky ligj dhe kjo Marrëveshje janë një “lëmoshë”, po të kemi parasysh Konventën Europiane për gjuhët në shtetet me përfaqësi ndëretnike si rasti i Maqedonisë.

Në këtë këndvështrim, miratimi i këtij ligji mund të konsiderohet si një “lëshim”, që maqedonasit u bëjnë shqiptarëve edhe pse shtetin e bëjnë dhe qeverisin bashkë. Problemi është i thjeshtë: në thelb shqiptarët përfitojnë të drejta gjuhësore në nivele qendrore dhe vendore, vetëm në ato territore ku ata përbëjnë 20% të banorëve rezidentë. Ja çfarë thuhet në ligj: “Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione…, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.

Më tej në ligj thuhet se “Në njësitë e vetëqeverisjes lokale gjuha dhe shkrimi që e përdorin më së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, përveç gjuhës maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabetin që e përdorin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetëvendosjes lokale, vendosin organet e njësive të vetëqeverisjes lokale. Kjo do të thotë se po deshën maqedonasit mund të përfitojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe shqiptarët, aty ku ata janë më pak se 20%. Në pajtim me të drejtën e qytetarëve për ta përdorur cilëndo prej gjuhëve, më tej, ligji u njeh të drejtën popullsive shqiptare për të përdorur gjuhën shqipe në praktikat gjyqë- sore, përmbaruese etj..

Meqenëse thuajse gjithë problematika e qytetarëve është në territorin vendor, pra faktikisht ky ligj nuk u njeh të drejtën e përdorimit të gjuhës shqiptarëve duke marrë si kriter 20 % në plan shtetëror, kudo ku ndodhen, por vetëm në ato territore ku ata përbëjnë 20%. Po si i bëhet për ato territore ku shqiptarët janë më pak se 20%? Me këtë ligj bllokohet edhe lëvizja demografike e shqiptarëve në hapësirën shtetërore, sidomos në ato territore ku nuk përbëjnë 20%, pasi u duhet të përballen me murin gjuhë- sor të vetëm gjuhës maqedonase zyrtare, duke e humbur të drejtën që kishin për gjuhën e tyre në territorin ku ishin.

E vetmja zgjidhje ligjore reale do të kishte qenë njohja e përdorimit të gjuhës në gjithë shtrirjen shtetërore, sepse në Shtetin maqedonas, shqiptarët janë element shtetformues me mbi 20% të popullsisë. Ushtrimi i së drejtës nga niveli shtetëror në atë vendor lë jashtë saj territore ku shqiptarët janë rezidentë në më pak se 20%, duke u lutur përsëri shumicës maqedonase për të vënë dorën në zemër.

Prandaj mendoj se nuk ka nevojë për brohoritje, shkëmbime mesazhesh ekzaltuese e ca më pak për lumturim, që na e vë edhe më në dukje kompleksin e inferioritetit. Për fitore jo se jo, por as për të drejtë natyrore e demokratike krahasimisht me konventat europiane. Se jo vetëm s’mund të flitet për arritje, por në fakt për një “lëmoshë” apo për një fitore si e Pirros.