Shkruan Xhevdet Pozhari

Thuajse çdo gjë është kapur peng nga heshtja. Dhe të gjithë ne bëhemi gjithnjë e më të heshtur. Mbase edhe nuk e kemi kuptuar se jo çdo heshtje është atë që thotë proverbi popullor – ar! Ar është vetëm heshtja që e lufton gënjeshtrën, që e pengon përhapjen e fjalëve të rrejshme për ndonjë ngjarje apo ndonjë personalitetit publik.

Pra nuk është ari ajo heshtje që e fsheh të vërtetën. Nuk është ari as heshtja që arsyeton dhe amniston krimin, korrupsionin, që ia mundëson hajdutit ta fshehë fytyrën e vërtetë e të pasurohet nga djersa e të tjerëve. Nuk është ari heshtja që e mbytë guximin.

Po pra, thuajse të gjithë i jemi dorëzuar heshtjes. Heshtim me shpresën se do ta ruajmë vendin e punës, heshtim nga frika se do i hidhërojmë ata që vendosin për fatin tone. Madje heshtim edhe atëherë kur thuajse nuk kemi asnjë arsye që mos e themi zëshëm se pushtetarë të papërgjegjshëm po e shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve tanë.

E ulim zërin edhe kur marrim gjysmë shërbimi në spitale, nuk kundërshtojmë as kur duhet të punojmë me orare të zgjatura. Jemi mësuar të heshtim – më mirë të tjerët le të flasin! Dhe kur do të vjen dita që do të heshtim përgjithmonë, do të thonë: ishte njeri i urtë, i qetë, kurrë nuk iu dëgjua zëri, as për të mirë e as për të keq… dhe më pas, do të na harrojnë siç harrohet gjithçka e heshtur, sikur të mos kemi ekzistuar.

Po ne heshtim duke mos parë se heshtja jonë është bërë varrezë ku kalben shumë të vërteta dhe ku prehet mosguximi ynë të përballemi me të vërtetën. Dhe përderisa ne heshtim, politikanët tanë ndjehen rehat dhe të papenguar edhe kur dalin dhe publikisht e paturpshëm na thonë gënjeshtra.

Heshtja e ka kapluar edhe qebaptoren e vogël ku jam duke ngrënë drekën. Dhe derisa jam duke e mbaruar ushqimin, vijnë dy të rinj. Vajza porosit “1 me 5 qebapë”, e djali “gjysmë me 3 qebapë”!

Shitësi pyet edhe një herë për t’u siguruar: “Gjysmë me 3 për ty, e 1 me 5 për vajzën”?! –

Po, axhë, përgjigjet qetësisht, çuni. Dhe për ta shuar kureshtjen e shitësit llafazan, shton: ne jemi studentë. Fytyra nis t’i skuqet si i zënë në faj!

Çohem për të paguar. Shikoj me inat kah shitësi. E shoh se 1 euro e ka llogaritur kosin.

– Qysh 1 euro kosin, – e pyes?

– Edhe ti student, a – më pyet?

– Jo, unë gjakovar. Qe 50 cent boll i ke – i them dhe dal!

… Në mendje vetëtimthi më kalojnë kujtimet rinore kur kishim më pak para në xhep, por shumë më tepër shpresa dhe vullnet për jetë. Por tani çdo gjë ka ndryshuar. Edhe prindërit e sotëm nuk janë si ata tonët dikur, që nuk i dorëzoheshin gjithaq lehtë heshtjes si ne të sotmit. Po, gjithçka ka ndryshuar. Nuk janë të njëjtë me të dikurshmit as burrështetasit e sotëm të Kosovës, që parajsën e fëmijëve të vet e kanë ndërtuar mbi mjerimin e rinisë kosovare, ata të cilët dikur nuk kishin para as për një byrek, por sot, edhe e qentë e shtëpisë i ngopin me biftek, e në ndërkohë duke mos menduar fare për studentët që hanë vetëm njëherë në ditë, një ‘gjysmë me 3 qebapë!”