Goditje e re ligjore mbi urdhrin e ndalim-udhëtimit në SHBA

Një gjykatës në Shtetet e Bashkuara vendosi kundër kufizimeve të udhëtimit ndaj shtetasve të gjashtë vendeve me shumicë myslimane, të cilët kanë të afërm në SHBA.

Gjykatësi i Gjykatës së Qarkut në Havaji, Derrick Watson, tha se gjyshërit dhe të afërmit e tjerë nuk mund të pengohen nga hyrja në SHBA, ashtu siç kërkon urdhri i administratës së presidentit Donald Trump.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i ka dhënë dritën jeshile zbatimit të urdhrit të Trumpit, i cili u ndalon përkohësisht hyrjen në SHBA shtetasve nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni – vende që Trump i konsideron si të prira për terrorizëm.

Gjykata Supreme ka përjashtuar nga urdhri i ndalim-udhëtimit vetëm ata njerëz që dëshmojnë se kanë lidhje të ngushta familjare me një person që jeton në SHBA.

Administrata Trump ka vendosur që ky përjashtim të vlejë vetëm për bashkëshortët, të fejuarit, fëmijët, prindërit, motrat dhe vëllezërit dhe të mos përfshijë gjyshërit, nipërit, mbesat, xhaxhallarët, hallat dhe kushërinj të tjerë.

Gjykatësi Watson nuk u pajtua dhe urdhëroi që këto kufizime të mos zbatohen.

Ai tha se përkufizimi i Qeverisë amerikane për një të afërm është “shumë i ngushtë”.

“Është e natyrshme që anëtarët e ngushtë të familjes të përfshijnë gjyshërit. Në fakt, gjyshërit janë mishërimi i anëtarëve të ngushtë të familjes”, tha gjykatësi Watson.

Vendimi i tij ka pasoja të gjera për Shtetet e Bashkuar dhe jo vetëm për Havajin.

Ai është një nga rreth 700 gjykatës të gjykatave të qarkut, të cilët janë pjesë e sistemit federal dhe jo e gjykatave lokale shtetërore. Roli i tyre është të interpretojnë ligjin mbi çështjet federale, duke përdorur kompetencat që u ka ndarë Gjykata Supreme.

Urdhri fillestar i Trumpit për ndalim-udhëtimin është lëshuar më 27 janar, por ka shkaktuar protesta masive në aeroportet e SHBA-së dhe disa beteja ligjore.

Urdhri i parë ka përfshirë edhe Irakun në mesin e vendeve, qytetarët e të cilave ndalohen të hyjnë në SHBA.

Presidenti e ka lëshuar më 6 mars versionin e rishikuar të urdhrit, për të shmangur disa probleme ligjore.

Trump thotë se kufizimet janë të nevojshme për ta mbajtur Amerikën të sigurt dhe për të parandaluar sulmet terroriste.

Por, kritikët insistojnë se ndalesa diskriminon qytetarët myslimanë.

Përgatiti: Valona Tela

SHPËRNDAJE