Gratë në Kosovë, edhe pse me vështirësi arrijnë të sigurojnë një vend pune, pavarësisht kualifikimeve arsimore dhe përvojës së punës, ato paguhen më pak se sa kolegët e tyre meshkuj, thonë përfaqësues të punëtorëve.

Kjo dukuri aplikohet në sektorin privat dhe atë publik dhe kërkon trajtim të veçantë, thotë Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovës, duke shtuar se në këtë mënyrë po diskriminohet gjinia femërore, respektivisht po demotivohen që të kërkojnë punë.

“Është e vërtetë që janë të diskriminuara në tregun e punës, siç janë paga më të ulëta, pushimet, punësimet, e edhe te marrja pjesë në institucione. Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga institucionet kompetente që pozicioni i gruas duhet të jetë prezent ashtu siç i takon me ligj dhe mos të diskriminohen”, thotë Arifi.

Në Kosovë gratë përfaqësojnë gjysmën e popullatës së përgjithshme, por pavarësisht kësaj, në tregun e punës, sipas shifrave zyrtare, vetëm 12 për qind e tyre punojnë. Edhe ato konsiderojnë se barriera kryesore mbetet niveli i ulët i pagës, por edhe paga më e ulët se për burrat.

Albana qe dy vjet punon në sektorin privat. Ajo thotë se në kompani ka pozitën e njëjtë me një koleg mashkull, por është e bindur se, ai paguhet më shumë.

“Unë dhe një koleg e kemi punën e njëjtë, por ai paguhet më shumë. Nuk e di arsyen”, thotë Albana.

Haxhi Arifi e quan të pakuptimtë faktin se gratë paguhen më pak se burrat dhe këtë çështje, thotë ai, BSPK-ja e ka shqyrtuar edhe në nivele më të larta.

“Ne e kemi ngritur këtë çështje, ku kemi marrë pjesë si BSPK. Edhe në Këshillin Ekonomik Social është ngritur një çështje e tillë. Pse gratë të diskriminohen, meqë e përfundojnë të njëjtën punë dhe mund të them ndoshta edhe më me kujdes se meshkujt. Pse të diskriminohen në paga, gratë të paguhen më pak, kurse gjinia e kundërt të jetë më e avancuar?”, shprehet Arifi.

Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Biznesit është anëtare e Këshillit Ekonomiko-Social, këshill ky që përbëhet nga BSPK-ja, komuniteti i biznesit dhe qeveria.

Ajo për Radion Evropa e Lirë thotë se kjo çështje është diskutuar në këtë këshill, por për shkak të mungesës së hulumtimeve, nuk është trajtuar në mënyrë të duhur.

“Gratë ende nuk po adresojnë ankesa për ta mbrojtur veten. Kështu ka ndodhur edhe me pushimin e lehonisë. Mosadresimi i ankesave ndodh për shkak të frikës se ato mund ta humbin vendin e punës”, thotë Ajdini.

Në anën tjetër, në një raport të publikuar nga Instituti “Riinvest”, thuhet se nga përqindja e përgjithshme e grave të punësuara, 54 për qind prej tyre janë të punësuara në sektorin privat dhe 41 për qind në sektorin publik.

Në këtë raport thuhet, se gratë e punësuara në sektorin publik, në 78 për qind të rasteve besojnë se ato paguhen njëjtë si burrat për punën e njëjtë dhe 8 për qind nuk besojnë se paguhen njëjtë.

Por, në sektorin privat, vetëm 51 për qind e grave besojnë se ato paguhen njëjtë si burrat në pozitën e njëjtë, kurse 19 për qind janë të sigurta që burrat paguhen më shumë për punën e njëjtë.

Kurse, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se numri i ulët i grave të punësuara, ka bërë që ato të paguhen më pak për të njëjtën pozitë dhe orar të punës. /Rel