Në kohë krize, njerëzit gjithmonë kërkojnë të bëjnë mirë llogaritë me paratë që kanë për të shpenzuar, në mënyrë që të arrijnë të kenë nën kontroll çdo shpenzim dhe të mos ngelin pa të holla në fund të muajit.
Nëse kërkoni një shembull të mirë të kursimit, duhet të njiheni me historinë e Ilona Richards, e cila është bërë e famshme në Britaninë e Madhe, si gruaja më kursimtare në botë.

Ilona merr një pension prej 10 mijë stërlinash në vit. Jo shumë, në një vend ku jeta është tepër e shtrenjtë. Për të kursyer ajo zgjedh të blejë në supermarkete gjithçka me ujle, lahet vetëm një herë në jave dhe e mban ujin për të pastruar tualetin. Në këtë mënyrë ajo arrin të shpenzojë një total prej jo më shumë se 3 mijë euro në vit.

Për të kursyer edhe më shumë, ajo u kërkon mysafirëve apo njerëzve që vijnë ta vizitojnë, të marrin me vete edhe bustinat e çajit, me të cilin mendohet që t’i qerasë.

Kjo vëmendje e kushtuar ndaj kursimit nuk vjen më shumë nga problemet ekonomike, sesa nga urrejtja që gruaja ka ndaj shpenzimeve të kota. Ajo ha shpesh ushqime të skaduara me vetëdijen se datat e skadencave të produkteve kanë kaluar. Nuk mungojnë edhe ata që e kritikojnë, duke e akuzuar si dorështrënguar. E megjithatë, ajo është tepër e lumtur me jetën që bën.