(Lexo intervistën e Gruevskit dhënë gazetarëve Berat Buzhala & Leonard Kerquki në Gazeta Express, me titull: “Rrëfimi im për shqiptarët”)

 

Në intervistën e gjatë të liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevski, nuk lexuam shumë gjëra të reja, nga ajo që paraqet angazhim i tij dhe lidershipit të VMRO-së, përveç në disa raste, ku me të drejtë akuzon partitë shqiptare, që për shumëçka në avancimin e jetës dhe ritës së qytetarit shqiptar, janë fajtor kuadrot e paafta, që marrin pozicione shtetërore dhe nuk punojnë sa duhet (parafrazim i lirë). Por, objektinteresimi im në këtë intervistë, që nuk e di, a është e porositur nga dikush dhe pse është porositur (?!), ishte qëndrimi tij, karshi kërkesë së partive shqiptare për përdorimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë. Kërkesë, e cila nga tre partitë politike (BDI, BESA dhe LR-PDSH), u cilësua si “e panegociushme”. Kërkesë, kjo që buron nga Marrëveshja e Ohrit, sepse edhe pas 15 vitesh, në vend që përdorimi i gjuhës shqipe, ta tejkaloj përkufizimin që e ka në këtë Marrëveshje, ajo nuk po përdoret as në suazat e kësaj Marrëveshje. Ndërkaq, për t’u ndërprerë lufta, kanë ekzistuar edhe fraza të lira ndërmjet negociatorëve vendorë dhe të jashtëm në stilin: “Ta mbyllim njëherë me këto përkufizime dhe pas realizimit të plotë të këtij dokumenti në vitin 2004, do të mund të diskutohen edhe për avancimin e përdorimit të gjuhës, statusi përfundimtar i shqiptarëve etj. Megjithatë, kaluan 13 vite nga 2004-ta, ndërkaq edhe ato obligime bazike të Marrëveshjes së Ohrit, për përfaqësimin proporcional, përdorimin e gjuhës në nivel shtetërorë dhe lokal, zhvillimi i barabartë në arsim, kulturë e media etj., jo që nuk ka përfunduar, por në disa sfera ka shkuar edhe më keq, si për shembull në kulturë!

Por, çka thotë Gruevski për kërkesën për përdorimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë?! Ai përgjigjet në atë mënyrë, që shqiptarët e Maqedonisë i krahason, e kjo do të thotë se edhe i konsideron si “minoritete” duke thënë kështu:  “…Ata kurrë nuk kanë bërë krahasimin me të drejtat që shtetet tjera sigurojnë për minoritetet, sepse po ta bënin këtë, do t’i linte ata gojëmbyllur. Nuk dua të keqkuptohem nga askush, por fqinjët tanë kanë komunitete të vogla etnike dhe ne jemi pakrahasimisht më mirë se ata, sa i përket kësaj çështjeje…” .”(Nikolla Gruevski). Duke vazhduar në këtë frymë të jokorrektësisë politike, për të mos thënë cinizmit politik, ai këtë të drejtë legjitime të shqiptarëve e përkufizon me të drejtat e pakicave reale të Maqedonisë, që në këtë fjali tjetër i quan “komunitete joshumicë”, duke u treguar shumë  “i drejtë” ndaj tyre, duke thënë kështu: “Është, ndërmjet tjerash, një shpenzimi i madh, por edhe një trajtim jo i drejtë i komuniteteve tjera jo shumicë siç janë turqit, vllahët, boshnjakët, serbët dhe romët.”(Nikolla Gruevski). Pra, Gruevski mendon se shqiptarët duhet të kenë të drejta të njëjta si “komunitetet tjera pakicë” edhe pse sipas regjistrimit të vitit 2002 shqiptarët vet përbëjnë mbi 25% ndërsa komunitetet tjera së bashku përbëjnë më shumë se dy herë më pak, 10%! Dhe në fund të fundit, në një vend ku komuniteti shumicë nuk arrin as 65%, Gruevski mendon se mund të vlejnë të njëjtat rregulla si në një vend ku ka homogjenitet më të madh etnik, prandaj e krahason Maqedoninë me fqinjët.

Në fund, është shumë e qartë, që “hilet, hilojnë”, prandaj edhe në këtë intervistë, që duket si me qenë “e porositur” apo “e kërkuar”, për të krijuar ambient bashkëpunimi ndërmjet VMRO-së dhe BDI-së, karshi mendimeve të shfaqura nga “kryengritësi” Bejta i BDI-së, që tha se “nuk ka shqiptarë, që don të bëj koalicion me Nikolla Gruevskin”. Por, nuk vonoi as 24 orë, policia financiare e shtetit hyri papritmas në zyrën e tij, për të “gjurmuar” malverzime financiare, për rrugën që bashkërisht me Nikolla Gruevskin e kanë bërë hapjen apo fillimin e punës në të! Madje, ky akt, dëshmon që kur një kryetari të komunës që është edhe nënkryetar i BDI-së, i bëhen presione të këtilla, a mund të paramendoni, çka mund të ndodh me qytetarin e rëndomtë, që shfaqë mendim ndryshe nga lidershipi i VMRO-së, e që i pengon atij, në vazhdimin e “hiles”, që ua bën partive shqiptare!

Azam Dauti