Pep Guardiola dëshiron të bashkohet sërish me futbollistin e Kombëtares spanjolle, Thiago Alcantara, i cili kushton 50 milion euro, me shpresën se drejtuesit e Manchester Cityt do t’ia bëjnë këtë dhuratë për titullin e fituar.

Guardiola, i cili ka punuar me Thiago edhe te Bayern Munich dhe Barcelona, dëshiron që “Xavi i ri” të jetë në mesfushën e City në sezonin e ardhshëm, pasi David Silva, Fernandinho dhe Yaya Toure kanë hyrë në të 30-t.

Në lidhje me David Silvën, Guardiola deklaroi: “Sezonin e ardhshëm, David nuk mund të luajë çdo ndeshje dhe kjo është arsyeja përse ekipet e mëdha duhet të kenë disa alternativa”.

Guardiola e mori me vete Thiagon kur shkoi në Mynih, në vitin 2013 duke e larguar nga “kthetrat” e Manchester United. Ai ka një kontratë deri në vitin 2021 me bavarezët, të cilët kërkojnë të paktën 50 milionë euro për shërbimet e tij.