Ish ministri i financave Xhevdet Hajredini ka ironizuar paraqitjen e zv/kryeministrit Bujar Osmani për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë.
“E mësuam kush është koordinator për ndërtimin e autostradës drejt Bllacës. Mirë do ishte Zaevi Bujar Osmanin ta autorizojë që ta koordinoje edhe ndërtimin e shkollës fillore në Bllacë, në mënyrë që nxënësit të mos udhëtojnë deri në Elez Han, ashtu si bëjnë vite me radhë”, thotë Hajredini për Gazetën Lajm.

Ai shton se paraqitja e Osmanit ka tendenca manipuluese, sepse ndërtimi i autostradës është larg fillimit të punimeve, kurse përfundimi i saj as nuk mund të supozohet.

“Mundohet të krijojë përshtypje sikurse autostrada do të fillojë të ndërtohet nesër, mirëpo përgatitja e dokumentacionit është një fazë e parëndësishme që mund të zgjasë dy vjet, apo 10 vjet. A është për t’u lavdëruar se qeveria paska ndarë mbi një milion euro për financimin e dokumentacionit teknik, kur e dimë se qeveria paraprake, ku kanë marrë pjesë edhe ‘koordinatorët’ e BDI-së, ka ndarë rreth një miliardë euro për projektin Shkupi 2014.

Para shumë viteve ministrat e BDI-së poashtu publikisht na informuan se qeveria ka ndarë një shumë prej dhjetëra mijë eurosh për hartimin e dokumentacionit teknik për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Me gjasë edhe ky projekt që do ta ‘koordinojë’ Bujar Osmani, do ta ketë fatin e rrugës Tetovë-Prizren”, thekson Hajredini.