Komisari evropian Johanes Han për gazetën spanjolle “El Pais” deklaroi se shpreson që arritja e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Beogradit do të çojë deri tek ajo pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta rishqyrtojnë vendimin e tyre.

“Pozicioni i përbashkët në BE është se kur flasim për Ballkanin, ne ose eksportojmë stabilitet ose nuk importojmë paqëndrueshmëri. Përvoja na tregon se paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti në Ballkan mund të arrihen vetëm nga një perspektivë evropiane”, thekson Han.

Ai vlerëson se marrëveshja ligjërisht e obligueshme mes Beogradit dhe Prishtinës është e domosdoshme, madje edhe kyçe për rajonin.

Duke u përgjigjur në pyetjen për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës, Han theksoi se Spanja kontribuon për stabilitet të rajonit.

“Kemi marrëveshje strategjike me Kosovën. Duhet të lejojmë Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje dhe nëse arrihet, do të shohim cilat janë hapat e ardhshëm”, thotë Han.