Ai ishte një prej pikave kulmore të Shqipërisë në Europianin e vitit 2016 të zhvilluar në Francë, pasi goli ndaj Rumanisë e futi Shqipërinë si asnjëherë tjetër në “vallen” e kualifikimit përtej fazës së grupeve.

Por, edhe pse arsyet janë të kuptueshme, sulmuesi i Kombëtares shqiptare Armando Sadiku ka nisur të bëjë bujë edhe jashtë fushës, me një kërkesë të tij të formalizuar për të marrë pasaportën bullgare.

Mediet zvicerane, vend ku edhe aktivizohet futbollisti i kuqezinjve kanë zbuluar detajet e aplikimit që Armando Sadiku ka bërë në janar të këtij viti në Sofje.

“Është e vërtetë. Gjyshërit e mi kanë pasaportë bullgare dhe prej tyre dua edhe unë të kem një të tillë”, tha sulmuesi i kombëtares, që nënvizoi se procesi i natyralizimit me pasaportën e re të vendit të BE-së po shkon sipas planit.

25-vjeçari humbi dy ditë përgatitje me skuadrën e Luganos, pikërisht për shkak të pasaportës, që mund ta lehtësojë karrierën e tij futbollistike.

Lojtarët nga BE-ja vuajnë më pak kufizime sesa lojtarët e tjerë, e për këtë, “bomberi” i përfaqësueses ka kërkuar ndihmë në Sofje, nën evokimin e gjyshërve të tij. Pavarësisht kësaj, për mediet zvicerane, që jo shpesh vuajnë diskutime mbi kombësinë në sport, bën çudi sesi heroi shqiptar kërkon të kthehet në një bullgar.