Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e miratoi ligjin me të cilin pezullohet pagesa e taksës radiodifuzive.

Ndryshimet e Ligjit për shërbime audio dhe audioviziale mediale u miratuan me procedurë të shkurtuar.

Me ligjin parashikohet që të ardhurat, që deri tani i merrte RTVM-ja përmes grumbullimit të kësaj takse, të financohet nga Buxheti shtetëror edhe atë në vlerë prej 0,5 për qind nga vlera e Buxhetit në nivel vjetor. Për këtë qëllim nevojitet që të ndahen 885 milionë denarë në nivel vjetor nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2018. Krahas nga Buxheti, RTVM-ja do të financohet edhe nga mjete të tjera, gjegjësisht nga të ardhura të operatorëve kabllorë dhe nga të ardhura të realizuara me shitjen e programit të prodhuar në RTVM.

Deputeti Tomisllav Tuntev, i cili është një prej propozuesve të ligjit, theksoi se me vendimin e këtillë ligjor do të lirohen qytetarët nga një taksë e panevojshme, ndërsa nga ana tjetër do të rritet efikasiteti në punën e RTVM-së.

“Jo çdoherë janë grumbulluar ato mjete. Ishim dëshmitarë të zbrazëtirave financiare prej para dy viteve të RTVM-së. Kjo është mënyra të cilën ne e propozojmë që t’i lirojmë qytetarët nga një taksë jonatyrore dhe të rritet efikasiteti në punë dhe funksionimin e servisit publik radiodifuziv”, tha Tuntev.

Taksa radiodifuzive është sjellë në vitin 2005.