Suedezët tregojnë gjithnjë barcaleta mbi norvegjezët duke i përshkruar si më budallenjtë dhe naivët nga të gjithë nordikët.
Por Norvegjia me vetëm 5.3 milion banorë sot është eksportuesja më e madhe e naftës në Evropë dhe një nga më të mëdhatë në botë. Sipas vlerësimeve të 2010-s, ky shtet eksporton rreth 1.6 milionë fuçi nafte çdo ditë, më shumë se dyfishin e vendit të dytë evropian në klasifikim (Mbretëria e Bashkuar).

Norvegjia ka përdorur pasurinë e naftës për ta shndërruar ekonominë e saj, e cila pas luftës së dytë botërore mbështetej vetëm te peshkimi dhe shfrytëzimi i pyjeve. E megjithatë, deri në vitin 1968 ajo as që e dinte se zotëronte naftë.

Gjithçka nisi në vitin 1968 nga një gjeolog me origjinë irakene, Faruk al-Kasim, i cili sot është 79 vjeç dhe jeton në portin norvegjez të Stavenger. Al-Kasim, që kishte studiuar në Londër, u njoh dhe u martua atje me një vajzë norvegjeze. Pasi jetuan disa vite në Irak u transferuan në Norvegji, në maj të ‘68-s.

Me të mbërritur në shtetin skandinav, 31 vjeçari iraken vendosi të vizitonte zyrat e Ministrisë së Industrisë për t’u informuar nëse kishte kompani nafte në Norvegji dhe nëse ndonjëra prej tyre kërkonte gjeolog. Al-Kasim ishte me fat. Ministria e Industrisë kishte nevojë për një gjeolog ekspert për të vlerësuar rezultatet e një sërë testesh të zhvilluara gjatë muajve të kaluara në Detin e Veriut.

Prej më se 5 vitesh autoritetet norvegjeze kishin zbatuar projekte eksploruese, por deri atëherë nuk kishin gjetur gjurmë nafte, edhe sepse sektori që mbulonte këtë fushë kishte vetëm 3 nëpunës.

Al-Kasim kaloi tre muaj me interpretimin e të dhënave të nxjerra nga 13 puse eksplorimi dhe doli në përfundimin se në brigjet norvegjeze kishte sasi të mëdha nafte, por askush nuk i dha të drejtë. Autoritetet ishin skeptike dhe thuajse të gjitha kompanitë e naftës po largoheshin nga vendi, pas vitesh të tëra eksplorimi.

Por në dhjetor të 1969-s, kompania amerikane “Phillips Petroleum” gjeti për herë të parë naftë në zonën Ekofisk, e cila pas disa ditësh u deklarua si një nga depozitat më të mëdha në botë.

Al-Kasim pohon se politikanët norvegjezë kur u bindën se depozitat e naftës ekzistonin vërtet, filluan të druheshin për ardhjen e beftë të shoqërive të huaja për eksplorim në truallin norvegjez.

Nga eksperienca e tij nuk mund veçse të ishte dakord: “Kisha jetuar në agoninë se mos isha një dordolec i imperializmit”, thotë ende sot.

Ai i kishte shumë të qarta dy rrugët që mund të ndiqeshin për menaxhimin e naftës: 1.krijimin e hapësirave për kompanitë shumëkombëshe (kjo zgjidhje ishte vërtetuar shpesh herë e dëmshme për ekonomitë vendase) apo 2.nxjerrja e tyre jashtë ligjit, ashtu siç kishin bërë shumë vende në Lindjen e Mesme midis viteve ‘50-’60.

As kjo nuk funksiononte: përqendrimi i naftës në duart e pak autoktonëve, thellë-thellë nuk ndryshonte shumë nga lënia e saj “imperializmit”.

Por al Kasim e gjeti shumë shpejt rrugën. Ai dhe një koleg hartuan një projekt në lidhje me çështjen më të rëndësishme: si duhej menaxhuar gjithë ajo naftë.

Thelbi i tij ishte ky: ngritja e një kompanie të kontrolluar nga shteti “Statoil”, në mënyrë që të punësoheshin norvegjezët dhe të zhvilloheshin kompetencat lokale në këtë sektor, në të njëjtën kohë krijimi i një organizmi kontrolli plotësisht të pavarur: “Drejtoria e Naftës Norvegjeze”.

Shoqëritë e huaja të naftës mund të vazhdonin të shfrytëzonin burimet në këtë shtet (në ndryshim nga vendet lindore që ndoqën rrugën e monopolit), por aktivitetet e sektorit do të rregulloheshin nga Drejtoria, me vëmendje të veçantë ndaj pasojave ambientale.

Shteti zgjodhi të vinte në praktikë projektin e al-Kasim që u bë baza e suksesit norvegjez.

Në ndryshim nga pjesa më e madhe e prodhuesve të naftës, qeveria norvegjeze përdori paratë e qytetarëve për të financuar gjysmën e investimit, duke marrë përsipër gjysmën e risqeve në zhvillimin e puseve. Kur fitimet nisën të vinin vërtet në vitet ’90, shteti i vendosi ato në një fond kursimi, në pritje të momentit kur depozitat do të ezauroheshin.

Drejtoria e Naftës, së cilës iu desh të luftonte shumë për të balancuar pushtetin “Statoil”-it (ku al-Kasim punoi për dy dekada si një nga drejtuesit kryesorë), vendosi objektivin e “ndotjes zero” të mjedisit dhe si rrjedhojë shumë pak agjentë kimikë të dëmshëm janë shkarkuar në Detin e Veriut.

Për vite të tëra al Kasim këmbënguli në zhvillimin e teknologjive të reja për shfrytëzimin maksimal të puseve, një bindje personale që bëri të mundur shfrytëzimin me 45% të depozitave të naftës, ndërsa në pjesën tjetër të botës vazhdon të jetë rreth 25%.

Fondi sovran norvegjez, i cili administrohet nga banka qendrore është më i madhi në botë, ndërsa pak ditë më parë ai tejkaloi vlerën e përgjithshme prej rreth 5 miliardë koronash (më shumë se 600 miliardë euro) dhe 183% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Ky lajm u raportua nga agjencitë ndërkombëtare me sintezën e sugjeruar që “secili nga ata 5 milionë norvegjezë është një milioner i mundshëm”.