Pika më jugore e bregdetit norvegjez do të jetë shtëpia e të parit restorant nënujor në Europë dhe kjo duket sikur sjell valë energjie apokaliptike. I skicuar nga firma e dizajnit dhe e arkitekturës Snøhetta, restoranti i quajtur “Under” gjithashtu do të ketë një funksion të dyfishtë si qendër e kërkimit të jetës detare.
“Gjysmë i zhytur në det, forma monolite e ndërtesës thyen sipërfaqen e ujit për t’u shtrirë në breg”, thuhet në site-in e Snøhetta-s.

Më shumë se një akuarium, struktura do të bëhet pjesë e mjedisit të saj detar, duke pushuar drejt e në shtratin e detit pesë metra nën sipërfaqen e ujit. Kërkuesit pas ndërtimit të restorantit po punojnë për t’u siguruar se peshqit dhe butakët nuk do të ndikohen negativisht nga struktura.

“Under” do të akomodojë 80 deri 100 të ftuar, që do të hyjnë në restorant nga skaji i bregut dhe më pas do të ecin poshtë, nën ujë. ( Bari i shampanjës së restorantit do të shënjojë edhe kalimin mes bregut dhe oqeanit).
“Salla e darkës është e zhytur në nuanca të errëta të blusë dhe së gjelbrës, frymëzuar nga shtrati i detit, algat dhe deti më i egër”, shkruhet në website. “Brendia e lisit të ngrohtë e restorantit bën kontrast me karkasën e ashpër prej betoni, duke krijuar një atmosferë intime. Materialet janë zgjedhur jo vetëm për cilësitë estetike, por edhe për karakteristikat mjedisore dhe aftësinë për të krijuar një klimë të mirë brenda”.