Qeveria e Republikës së Maqedonisë, pritet që të ketë qasje më serioze në aspektin e përfshirjes së shqiptarëve në festimet e Kryengritjes së Ilindenit që do të mbahen në Krushevë me 2 gusht të këtij viti. Këtë e dëshmon fakti se përfaqësuesit e Qeverisë kanë kërkuar që të mbahet konferencë shkencore për zbardhjen e rrethanave historike të Kryengritjes, por edhe se në këtë ditë do të mbajë fjalim kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Kështu vlerësojnë për Portalb.mk, drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kuluturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), Skender Asani dhe ish deputeti, Ismet Ramadani.

SKENDER ASANI“Përfaqësuesit e Qeverisë së Maqedonisë kanë kërkuar nga ITSHKSH dhe Instituti i Historisë Nacionale që të organizohet konferencë në prag të manifestimit të Ilindenit, por duke e pasur se jemi institucione serioze që merremi me shkencë, ne i kemi parashtruar Qeverisë kërkesë që kjo konferencë të mos mbahet tani, por vitin e ardhshëm, që të njëjtës t’i paraprijë një hulumtim serioz në arkivat ballkanike dhe botërore. Përfaqësuesit e Qeverisë janë zotuar se do ta mbështesë këtë hulumtim dhe këtë sesion shkencor. Besoj se do të ketë prurje të reja, ku faktet dhe dokumentet do të flasin vetë dhe do të zbardhen të gjitha rrethanat e kësaj kryengritjeje”, deklaroi Asani për Portalb.mk.

Sipas tij, në mungesë të hulumtimit serioz, retorikë boshe dhe promovim personal, mund të llogaritet historiografia maqedonase që dëshiron ta mënjanojë elementin shqiptar nga përfaqësimi në Kryengritjen e Ilindenit, por edhe i disa historianëve shqiptarë të cilët e eliminojnë bashkëpunimin në këtë Kryengritje.

Përfshirja e shqiptarëve në festën e Ilindenit që mbahet në “Meçkin Kamen”, çdo vit është temë debati, pasi ish Qeveria e Nikolla Gruevskit, çdoherë i ka përjashtuar shqiptarët nga manifestimi solemn. Megjithatë, njohësit e çështjeve historike dhe politike, janë optimist se Qeveria e re do të ketë qasje të re, dhe për këtë dëshmon edhe paralajmërimi se kryeparlamentari, Talat Xhaferi, do të mbajë fjalim në Krushevë.

Ismet Ramadani“Ashtu edhe siç është pritur, kjo Qeveri do të ketë qasje krejt tjetër edhe në manifestimet shtetërore, sepse shqiptarët do të konsiderohen si partnerë të vërtetë në këtë Qeveri. Ilindeni si festë shtetërore ka simbolikën e vet në të cilën duhet të dëshmohet se shqiptarët janë faktor i rëndësishëm të cilët duhet të respektohen edhe në festa, por edhe në situata tjera. Në këtë rast, pjesëmarrja dhe fjalimi i kryeparlamentarit, shqiptarët i vë në një pozicion kënaqshëm sa i përket festës së Ilindenit. Në një mënyrë me këtë jepet porosia se shqiptarët meritojnë të pjesë e festimit të Ilindenit, për shkak se në Republikën e Krushevës, në ndarjen e atij pushteti të përkohshëm, shqiptarët kanë qenë pjesëmarrës, por edhe kanë ndarë pushtetin në atë Republikë. Ky është hap i parë ku pala maqedonase ku edhe në aspektin shtetëror nëpërmjet prezencës së shqiptarëve jep një sinjal apo porosi se shqiptarët duhet të konsiderohen si subjekt i rëndësishëm dhe shumë kontribuues në këtë shtet”, thotë Ismet Ramadani.

Edhe historiani, Asani, thotë se Qeveria e re ka qasje pozitive, në krahasim me pushtet e kaluara, të cilat i kanë përjashtuar shqiptarët nga festimi i Ilindenit.

“Qeveria ka një qasje pozitive në aspektin e përfshirjes së shqiptarëve në këtë festë, Për këtë flet edhe fakti se për së pari herë, në një ngjarje të këtillë merr pjesë një funksionarë i lartë shtetëror me kombësi shqiptare, kryeparlamentari Talat Xhaferi. Deri më tani, kësaj Kryengritjeje, pushtet e ndryshme në Maqedoni, nuk i kanë dhënë rëndësi të duhur, por i kanë dhënë orientim etnik, duke i përjashtuar shqiptarët. Nga ana tjetër, historianët shqiptarë kanë hezituar që të flasin dhe ta hulumtojnë si duhet këtë kryengritje dhe kjo rezulton me mungesë të studimit të hollësishëm për këtë kryengritje”, thotë Asani.

Ndryshe, më 2 gusht është festë shtetërore që shënon ditën e një kryengritjeje në vitin 1903 kundër pushtetit otoman të atëhershëm në këto troje dhe të cilën maqedonasit e sotëm e marrin si ditë vendimtare në kohët moderne për luftën e tyre për pavarësi dhe shtetësi. Vlen të theksohet se vitet e kaluara në shënimin e kësaj feste është përbuzur kontributi i shqiptarëve të cilët kanë munguar në pjesëmarrjen e shënimit të kësaj feste. Për herë parë, në manifestimin e Ilindenit, fjalim do të mbajë funksionari i larti shtetëror, kryeparlamentari, Talat Xhaferi.