Nuk mund të ketë zgjedhje të lira pa qytetarë të lirë. Prandaj, këto të nesërmet nuk janë zgjedhje. Kjo nuk është votë e lirë! Dy fjalë për simulimin si gjendje e funksionimit të shtetësisë dhe votuesit e mbijetesës dhe ata që votojnë për ndryshime thelbësore.

Më 11 qershor kosovarët do t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2014 pjesëmarrja e elektoratit në zgjedhje ishte 43 për qind, ndërsa këtë vit kjo përqindje paralajmërohet të mos jetë më e lartë. Sipas ekspertëve pjesëmarrja e ulët në zgjedhje është rezultat jo vetëm i pamundësisë së diasporës për të votuar, por edhe si rezultat i pakënaqësisë me situatën politike në vend.

Edhe pse këto dy arsye qëndrojnë, është edhe një tjetër element që mendoj se e përshkruan më konceptualisht apatinë zgjedhore. Që prej vitit 1999 faktori ndërkombëtar në Kosovë e ka fetishizuar institucionin e zgjedhjeve demokratike duke e zvogëluar tërë sistemin demokratik në ngjarjen e «mbajtjes së zgjedhjeve». Edhe nëse zgjedhjet do të ishin tërësisht të lira e të ndershme, kjo në thelb nuk tregon diçka të jashtëzakonshme për demokracinë. Të mos harrojmë, zgjedhje të lira organizohen edhe në Rusi, Turqi e shumë vende tjera të cilat përpos institucionit të zgjedhjeve nuk i lidhë asgjë tjetër me sistemet demokratike. Në rastin e Kosovës më shumë se njëherë është parë se zgjedhjet demokratike kanë devijuar në maskarada të «vjedhjeve industriale të votave». Duke parë këtë tendencë, këtë radhë do të ketë prezencë më të shtuar të vëzhguesve ndërkombëtarë për të mundësuar një proces më të drejtë zgjedhor. Megjithatë, edhe nëse këto zgjedhje do të jenë tërësisht të lira, në Kosovë ato janë më tepër simulim i votës, i shtetësisë dhe i demokracisë se sa votë e lirë. T’i marrim me radhë.

Që nga zgjedhjet e para të organizuara pas luftës deri në vitin 2008 zgjedhjet kanë shërbyer për të përmbushur shtetësinë së munguar, për të dëshmuar se organet e përkohshme qeverisëse janë të gatshme të ndërtojnë shtet demokratik. Pas vitit 2008 zgjedhjet kanë shërbyer për të përmbushur shtetësinë e cunguar e për të dëshmuar se pavarësisht kontestimit të shtetësisë nga brenda e jashtë, ka gatishmëri e vullnet për të ndërtuar një rend demokratik. Përveç këtyre arsyeve të fundit, zgjedhjet e nesërme janë po ashtu edhe përmbushje e shtetësisë gati në rrënim, por kësaj here me një dallim të madh: më shumë se sa nga Serbia, mosnjohja e vendit nga faktori ndërkombëtar, ky rrënim është rezultat i drejtpërdrejtë i agjentëve vendorë të shtetit. Me këtë i referohem pushtetit politik e ekonomik të PDK-së që prej vitit 2007 dhe bashkëpjesëmarrjes së kohëpaskohshme të LDK-së në këtë projekt.

E mira, kushtimisht të themi, e këtyre zgjedhjeve është fakti se më në fund kemi të bëjmë me koalicione organike të partive. Pra, në njërën anë kemi të ashtuquajturin «krahun e luftës» PDK-AAK-Nisma, në anën tjetër kemi koalicionin LDK-Alternativa-AKR, dhe Vetëvendosje! që garon e vetme duke qenë se vjen nga një traditë tjetër politike e ideologjike. Përpos nëse Vetëvendosje! arrin që këto zgjedhje t’i fitojë e vetme, gjë e cila nuk ka mundësi të ndodhë, edhe këtë radhë krejt çka do të ndodhë me votën e 11 qershorit është vetëm një farsë e një mashtrim për ndryshim, për riciklim politikash e programesh.

Përpos votuesit të Vetëvendosjes! dhe votuesit që hedh votë të bardhë (do të thotë votë për asnjë parti politike), votuesi që tradicionalisht del në zgjedhje në Kosovë në masë të madhe është votuesi i mbijetesës. Këtu kemi të bëjmë me simulimin e votës së lirë të një njeriu tërësisht jo të lirë. Votuesi kosovar në masë të madhe është i «kapur» nga vota, ashtu siç kjo e fundit bashkë me institucionet që dalin nga «vota e lirë» është e kapur nga pushteti. Ky votues votën e ka peng të një thesi mielli, të një konkursi pune, të një konference jashtë vendit, të një pranimi në një fakultet të caktuar, të një mundësie për të dërguar fëmijën e tij në një çerdhe. Ky votues del për të votuar jo pse beson në një parti të caktuar dhe se ardhja në pushtet e një partie është në vetvete një zhvillim i mirë.

Përpos elektoratit të Vetëvendosjes!, elektorati i të gjitha partive tjera mësynë kutitë e votimit për të ruajtur pozitën universitare, pozitën e sekretarit të filan bordit, pozitën e drejtueses në një grup punues në ndonjë ministri, apo edhe pozitën e mësuesit të gjeografisë në ndonjë fshat të thellë. Në këtë kuptim, për votuesin si masë nuk kanë rëndësi prurjet e reja në këto parti politike, sepse sigurinë e mbijetesës do të vazhdojnë ta japin ata të cilët i kemi dëgjuar në «aferën Pronto» të publikuar nga Insajderi, të pranohen e të aranzhohen në pozita pune.

Pra, ky votues nuk del në zgjedhje për klishenë se «vota është e shenjtë», por sepse jashtë çdo klisheje në fakt mbijetesa ekonomike e shoqërore është e shenjtë. Për këtë votues nuk ka ndonjë rëndësi të madhe cilët kandidatë do të votojë. Ai voton partinë që ia shtynë mbijetesën edhe për katër vjet të tjera. Me të drejtë mund të thuhet se zgjedhjet në vetvete kanë këtë karakter të fetishizuar në shumë vende të tjera, edhe në ato me demokraci pak më të konsoliduar se Kosova. Dallimi thelbësor qëndron në faktin se zgjedhjet në Kosovë nuk riciklojnë as parti, as programe, as njerëz, por vetëm «kontrata punësimi» katërvjeçare qoftë duke filluar nga stafet akademike e deri te shërbyesit më të ulët civilë.

Si i tillë ky elektorat jo që nuk është pjesëmarrës në një proces demokratik, por duke e simuluar votën gjoja të lirë, ai bëhet bashkëpjesëmarrës në rrënimin e demokracinë.