Instagrami sjell ndryshimin e shumëpritur

Një ndër veçoritë unike të Instagramit ishte se kur postonit video live ato zhdukeshin menjëherë pas mbylljes së transmetimit.

Ndryshe nga Facebooku apo Periscopi, ku videot e transmetuara live ruhen, në Instagram ato zhdukeshin përgjithmonë.

Kjo ka ndodhur deri më tani, pasi që nga sot ju do të keni edhe mundësinë për t’i ruajtur. Kompania sapo ka njoftuar se përdoruesit do të kenë mundësinë t’i ruajnë videot e tyre në telefon pasi përfundojnë transmetimin live.

Është shumë e thjeshtë, sapo të përfundojë transmetimi juaj live ju do të shikoni një buton në qoshen sipër djathtas, e klikoni dhe videoja ruhet në telefonin tuaj.

Këto video nuk do të ruhen direkt në Instagram, kjo pasi kompania dëshiron që përdoruesit të ndjejnë urgjencën për t’i shikuar ato live kur dikush nis transmetimin live.

Kompania synon që me këtë lëvizje, duke u dhënë përdoruesve të drejtën për të ruajtur videot, do të rrisë numrin e përdoruesve që do të publikojnë video live.

Më parë përdoruesit mund të kenë hezituar për të publikuar video live ngaqë ato zhdukeshin përgjithmonë. Ky përditësim në veçoritë e Instagramit do të vihet në përdorim që sot për përdoruesit e telefonave iOS dhe Android.