“Qeveria e Maqedonisë nuk ka kurrfarë lidhje me zgjedhjen e drejtorit të RTVM-së. Kjo zgjedhje është vendim i Këshillit të Programit të RTVM-së, i cili ende funksionon me përbërjen e vjetër”, kështu deklarohen nga Qeveria e Maqedonisë, pasi që dje u rizgjodh për drejtor të RTVM-së Marjan Cvetanovski, i njohur në opinion si personi që ndaloi që të transmetohen “bombat” e Zoran Zaevit.

“Qytetarët e Maqedonisë mirë e dinë se kush janë anëtarë në atë përbërje të vjetër, në çfarë mënyre ka punuar dhe nën çfarë ndikimi, por edhe si është bërë kjo zgjedhje. Kjo zgjedhje është derisa të miratohet ligji i ri për shërbime audio dhe audiovizuale, menjëherë pas miratimit të ligjit të ri do të mundësohet, që të zgjidhen persona profesional dhe jo-partiak edhe në RTVM, edhe në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Ai më tej shtoi se ligji i ri pritet që së shpejti të miratohet, “madje dhe brenda javës” dhe me këtë zgjidhje ligjore, kjo Qeveri “do ta ndalojë këtë praktikë jo-transparente, do të mundësojë profesionalizim të plotë dhe departizim të RTVM-së dhe Agjencisë, si dje institucione shumë të rëndësishme në Maqedoni”.