Vizita dy ditore në Maqedoni e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, vlerësohet si pozitive dhe si shtytje për përshpejtimin e reformave për anëtarësimin e vendit tonë.

Njohësit e çështjeve të politikës së jashtme sqarojnë për Portalb.mk se çfarë mund të pritet nga kjo vizitë.

Drejtuesi i Qendrës për Studime të Sigurisë, Selim Ibrahimi, thotë për Portalb.mk se vizita e Stoltenbergut është shenjë pozitive për qeverinë se Maqedonia ka bërë disa hapa pozitivë që mund të anëtarësohet në NATO.

“Vizita e Sekretarit të NATO-s Stoltenberg paraqet një riafirmim të përkushtimit të Aleancës për Maqedoninë dhe krahun Jugor, përkatësisht të Adriatikut. Njëherit është shenjë pozitive për qeverinë se Maqedonia ka bërë disa hapa pozitivë që mund të anëtarësohet në NATO. Disa marrëveshje të qëllimit të mirë dhe bashkëpunimit ndër fqinjësorë sollën momente të reja edhe për vetë Aleancën në politikat e zgjerimit. Zgjidhja e problemit të emrit do të jetë më lehtë për NATO që ta pranojë Maqedoninë si anëtare e 30”, tha për Portalb, Selimi.

Si shtoi se fryma pozitive duhet shfrytëzuar që Maqedonia të mos bëhet pre e faktorëve malinj që e rrezikojnë stabilitetin e vendit

“Tani mbetet që klasa politike e Maqedonisë ta kalojë provimin dhe ti përfundojë me të vërtetë reformat në të gjitha sektorët duke përfshirë këtu edhe Armatën e Maqedonisë. Fryma pozitive duhet shfrytëzuar që Maqedonia të mos bëhet pre e faktorëve malinj që e rrezikojnë stabilitetin e vendit dhe të Gadishullit Ballkanik. Vizitën e tij duhet shfrytëzuar për unitet qytetar dhe mundësisë që së shpejti Maqedonia ta marrë ftesën si anëtare e Aleancës. Nga një këndvështrim tjetër, Amerikanët janë të interesuar që ta bëjnë Maqedoninë anëtare e 30. Disponimi është në favor të vendit,tani mbetet që të gjithë të themi se e duam NATO-n dhe nuk jemi kundër zgjidhjeve tjera. Kontribut të theksuar drejt NATO-s kanë dhënë dhe po japin qytetarët shqiptarë me çka dëshmohet fryma pro evropiane e banorëve të Maqedonisë. Plasjet e mundshme brenda Maqedonisë do ta ndërlikojnë situatën. Megjithatë vizita do të ketë efekte pozitive dhe unifikuese”, shtoi Selimi.

Gjithashtu ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin shprehet për Portalb.mk se më në fund Maqedonia po vizitohet për të mirë dhe jo për çështje krize.

“Me siguri Stoltenberg do të jetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s kur Maqedonia të bëhet anëtare, dhe vizita e një personi të tillë bëhet vetëm nëse shteti është në krizë ose afër anëtarësimit në Aleancë. Kështu që deri më tani kemi qenë dëshmitarë të vizitave për shkak të krizës kurse tani jemi optimistë që po shkojmë drejtë rrugës Euro-integruese. E dimë që Maqedonisë i është thënë se do të merr ftesën për anëtarësim pas zgjidhjes së çështjes së emrit, kështu që nga kjo vizitë pritet që ai të përkujton se kjo çështje duhet të zgjidhet, që NATO mbështetet në Maqedoninë pasi që ajo me forcat e saja mbështet atë në Afganistan ku ende menaxhon gjendjet e krizës”, tha për Portalb Ruzhin.

Ai gjithashtu thotë se Stoltenberg do të fokusohet te reformat dhe do të kërkojnë kryerjen e obligimeve dhe detyrimeve që ka marrë përsipër Qeveria e Maqedonisë.

“Gjithashtu pritet të insistojë në reforma dhe besoj se do të tregojë përfitimet që do t’i kemi pas anëtarësimit në NATO, duke përfshirë këtu edhe obligimet dhe detyrimet që ka qeveria e Maqedonisë, do të kërkojë marrëdhënie të mira ndëretnike, stabilitet, harmoni mes banorëve të Maqedonisë dhe gjithsesi sundimin e të drejtës dhe reforma që duhet t’i intensifikojë Maqedonia. Presim që vizita të jetë pozitive pas një maratone të gjatë që nga viti 1999 dhe u shndërrua në rekorder të shtetit në pritje për anëtarësim në NATO”, tha Ruzhin.

Ndërkaq gjatë vizitës së tij në Shkup, Stoltenberg do të takohet me udhëheqjen e shtetit, ministrat, si dhe me disa nga liderët e partive politike. /Portalb.mk