Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka njoftuar Policinë e Kosovës se e ka pranuar një mesazh nëpërmjet telefonit, në të cilin është përmendur ekzistimi i një plani për likuidimin e tij.

Behgjet Pacolli, president i partisë opozitare Aleanca për Kosoven e Re (AKR), ka denoncuar sot në Policinë e Kosovës një rast të kërcënimit ndaj tij. Ai e ka njoftuar Policinë se ka pranuar një mesazh shqetësues, nëpërmjet të cilit i është treguar se po përgatitet likuidimi i tij.

SMS-i i është dërguar nga një person i nacionalitet serb, i cili banon në Zvicër. Jetlir Zyberaj, këshilltar i Pacollit, ka konfirmuar për Insajderin se rasti është denoncuar në Policinë e Kosovës.

“E kemi marrë një paralajmërim të tillë. E kemi trajtuar shume seriozisht dhe menjëherë kemi informuar organet kompetente, në këtë rast policinë”, ka thënë Zyberaj.

Ne mesazhin që i është dërguar Pacollit, i cili i është dorëzuar hetuesve të Policisë, atij i tregohet për planin e mundshëm të likuidimit.

“Një grup interesi në Serbi po përgatitet seriozisht për likuidimin tuaj”, shkruhet në mesazhin që i është dërguar Pacollit.

Kreu i AKR-së ka qenë ditëve të fundit person i përfolur shumë në Serbi. Ka qenë pjesë e ballinave të gazetës Informer, e afërt me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Kjo media ka raportuar se biznesmeni Pacolli dëshiron ta blejë jugun e Serbisë, përkatësisht Luginën e Preshevës.

“Miliarderi më i pasur shqiptar Behgjet Pacolli, i ka dhënë një shumë të parave me të cilat ekstremistët në jug të Serbisë, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, dhe në Vranjë, Leskovc dhe Nish do të blejnë tokë, pasuri të patundshme dhe kompani”, ka shkruar media.

Po ashtu, ajo ka shkruar se Pacolli e ka blerë me para vendimin e drejtësisë franceze, e cila e la të lirë Ramush Haradinaj.