Për shkak të jetës së shtrenjtë dhe kërkesave të rënda familjare, në Egjipt është shënuar rënie e shkallës së martesave, shkruan Anadolu Agency (AA).

Në raportin e publikuar nga Enti Zyrtar i Statistikave në Egjipt, thuhet se martesat gjatë vitit 2016 në Egjipt kanë rënë për 3.2 për qind dhe se numri i martesave zyrtare të realizuara gjatë vitit 2015 ka rënë nga 969 mijë e 399 në 938 mijë e 526.

Në raportin në fjalë thuhet se nga meshkujt dhe femrat e martuar të moshës 18-29 vjeçare në popullsinë e Egjiptit e cila ka arritur në 100 milionë sipas të dhënave për vitin 2017, shkalla e meshkujve të martuar është 37.4 për qind kurse ajo e femrave të martuara 16.4 për qind.

Problemi i përbashkët i secilit të ri: “Stolitë e nuses”

Njëra nga arsyet kryesore për shtyrjen e martesave janë “stolitë e nuses”.

Kerim Abduzzahir (32), i cili është punonjës civil në Ministrinë e Drejtësisë, në një deklaratë për AA tha se është detyruar që ta shtyjë dasmën për shkak se nuk ka arritur të blejë stolitë e nuses.

Duke theksuar se stolitë janë një nga shtyllat kryesore të blerjeve për dasëm, i riu egjiptian thotë se zhvlerësimi i monedhës në vitin 2016 ka shkaktuar rritjen e çmimit të arit për 100 për qind.

Ai thotë se tani gjendja e tij financiare nuk është e përshtatshme për blerjen e stolive të nuses dhe se dasma e tij është shtyrë për këtë arsye.

Grami i arit prej 21 karatësh, i cili përdoret më së shumti në Egjipt, vlen 650 paundë egjiptianë (rreth 40 dollarë).

Anëtari i Këshillit të Arit të Odës Tregtare të Egjiptit, Salah Abdulhadi, thotë se shitjet e arit në vend janë zvogëluar për 80 për qind, në krahasim me periudhën para revolucionit të 25 janarit të vitit 2011.

Abdulhadi thotë se pas rritjes së çmimit, qytetarët kanë hequr dorë plotësisht nga ari dhe se tani në shtije ka një rënie të madhe, aq sa nuk është parë ndonjëherë më parë.

“Kemi shitur tokë për të blerë pajë”

Ashtu si në popujt e Lindjes, edhe në Egjipt një pjesë e shpenzimeve për martesat ndahen për gjërat që duhet të blihen nga ana e femrës, e cila njihet si pajë.

Fatin Hasan, nënë e tre vajzave, tha se për martesën e vajzës së fejuar janë detyruar që ta shesin tokën e tyr

“Në pajën e nuses ndodhen pajisjet elektrike shtëpiake dhe teknika e bardhë, të cilën duhet ta blejnë ana e vajzës. Kurse çmimi i tyre në kohët e fundit është rritur shumë. Ne kemi shitur tokë për të blerë pajë për vajzën tonë”, thotë Hasan.

Në një deklaratë nga autoritetet zyrtare në Egjipt thuhej se pas zhvlerësimit të monedhës është shënuar rënie prej 80 për qind në shitjen e teknikës së bardhë.

Mahmud Idris, i cili shet teknikë të bardhë në qendrën e qytetit të Kajros, thotë se çmimi i pajisjeve elektrike për shtëpi në krahasim me periudhat e kaluara është rritur për 75 deri në 80 për qind.

Mahmud thotë se njëra prej arsyeve të rritjes së çmimeve mbi atë normale është moskontrollimi i tregjeve. Ai thekson se ata të cilët nuk kanë mundësi për të paguar, u drejtohen dyqaneve të cilat bëjnë shitje me këste.

Një rritje e tillë e çmimeve ka ndodhur edhe në sektorin e mobilieve. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Egjiptit, në këtë sektor ka një rritje të çmimeve për 36 për qind, për shkak të rritjes së çmimit të materialeve të cilat përdoren për prodhimin e mobiljeve.

Mosha e martesave është rritur në të gjitha shtetet për arsye të ndryshme, ndërkaq, arsyeja kryesore në Egjipt thuhet se është ajo ekonomike. Posaçërisht mosarritja e pagave pas zhvlerësimit të parasë kanë shkaktuar rritjen e problemeve.