Siç merret vesh nga burime anonime, por të sigurta, sot kryetari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, është takuar me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev. Në këtë takim është biseduar për zhvillimet e fundit politike në vend, risitë për zgjidhjen e problemit të emrit të shtetit, si dhe për mundësinë e anëtarësimit në NATO.

Përveç kësaj, Kryeministri ka qenë i interesuar edhe për qëndrimin e Besës përkitazi me zgjerimin e shumicës parlamentare, për çka kryetari Gashi e ka njoftuar se Besa edhe në të kaluarën e ka ndihmuar atë shumicë – sa herë që është ndjerë nevoja ose kur ka pasur propozime në frymën reformuese të vendit, ndërsa nëse ai dëshiron që Besa të jetë edhe pjesë e ekzekutivit, Gashi ka thënë se ata janë të gatshëm, porse kjo varet nga parimet e bashkëqeverisjes dhe programi i përbashkët qeveritar.

Merret vesh se në këtë takim ata parimisht janë dakorduar që edhe Besa të jetë pjesë e qeverisë, ndërsa ditëve në vijim ka mbetur të detajohen edhe funksionet që mund t’i ketë Afrim Gashi në qeveri.