Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi në një ceremoni gala në sallën e Akademisë së Arteve uniformat e reja të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, të përgatitura nga sponsori i ri teknik i kuqezinjve, “Macron” posaçërisht për paraqitjen në Euro 2016.

Pas emocioneve të himnit Kombëtar të kënduar live nga tenori Kastriot Tusha, i takoi Etrit Berishës të prezantonte i pari uniformën e portierit, edhe pse unike, disi familjare për gardianin kuqezi që vishet me të njëjtën markë edhe te Lazio.

“Duket shumë e mirë, e kena dhe te ekipi i Lazios këtë Macron”.

Padyshim ilaritet në grupin e futbollistëve të Kombëtares në sallë në momentet që Berishës i duhet të bëjë modelin, tjetër tregues i atmosferës që ekziston në gjirin e kuqezinjve, ndërsa më pas i takoi Sokol Cikalleshit dhe Ansi Agollit të prezantonin tutën e stërvitjes.

Uniformat e dyta, me ngjyrën e bardhë u prezantuan nga garancia e mbrojtjes Mërgim Mavraj, dhe protagonisti i mrekullisë në Portugali, Bekim Balaj. Për De Biasin rëndësi kanë vlerat që përfaqëson kjo fanellë dhe ruajtja e unitetit në një moment delikat të përzgjedhjes së grupit për në Francë,.

“Dua t’ju them që pas kësaj fanelle janë këta djem që kanë kontribuar për diçka kaq të rëndësishme, dhe uroj që me këta djem të qëndrojmë me të njëjtin unitet dhe shpirt grupi duke mishëruar vlerat e kualifikimit në vazhdim.Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe në muajt e ardhshëm kur të vendosim se cilët do të jenë ata që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Francë”.

Nderi për të përfaqësuar  fanellën e tretë, në ngjyrë të zezë i takoi Shkëlzen Gashit dhe Taulant Xhakës. Ndërsa nuk mund të rrinte pa u ngjitur në skenë dhe kapiteni Cana, i vlerësuar gjerësisht jashtë vendit edhe për vlerat e tij si model apo më saktë përcjelljen e imazhit.

“Së pari shpresoj që kjo fanellë e re t’ju pëlqejë siç na ka pëlqyer dhe neve dhe shpresojmë që ta nderojmë gjithmonë siç kemi bërë deri më tani. Jam i sigurt se do të na sjelli edhe fat. Gjëja më e rëndësishme janë simbolet që mbajmë brenda”, ka thënë Cana.

 

http://www.supersport.al/wp-content/uploads/2016/03/FANELLAT.mp4?_=1