Pothuajse gjysmë miliardë euro në vit shpenzojnë komunat e vendit. Një pjesë e komunave janë në zonën e qëndrueshmërisë financiare, ndërsa një pjesë përballen me bllokada. Prej viti në vit borxhet e përgjithshme në nivel lokal rriten dhe ky trend ndikon dukshëm mbi stabilitetin financiar të komunave. Në mesin e komunave që kanë borxh më të madh janë Ohri, Tetova, Velesi, Struga, Gazi Baba, Karposhi. Një pjesë e ekonomistëve thonë se me konceptin e ri të marrjes së kredive nga ana e komunave nuk do të arrihet qëllimi, dhe theksojnë se së pari duhet të bëhet analizë për t’i konstatuar gjendjet, të bartet përgjegjësi për to, e pastaj të gjendet zgjidhja, shkruan analiza ekonomike e Portalb.mk.

A do ta zgjidhë huaja prej 120 milionë eurosh paqëndrueshmërinë kronike financiare…

“Deri më 20 tetor të vitit 2017, janë trashëguar obligime me vlerë të përgjithshme prej 2,9 milionë eurosh ndaj 560 kreditorëve për arsye të ndryshme, edhe atë: llogari e bllokuar në vlerë prej 1 milionë eurosh, obligime të papërmbushura në vlerë prej 500 milionë eurosh…” –shkroi Zhivko Gosharevski, kryetari i komunës së Resnjës, në komunikatën me shkrim nëpërmjet ueb-faqes së komunës.

Me arka të zbrazëta komunale dhe me llogari të bllokuara u përballën edhe kryetarët e komunave të tjera.

“Që në fillim i njoftova qytetarët se komuna është e bllokuar që nga viti 2016-2017. Trashëgova borxh prej 400.000 eurosh, me atë që gjatë këtyre 100 ditëve na vinin edhe aktvendime të tjera ekzekutive për borxhet e shkaktuara nga pushteti paraprak në komunën e Karbincit, dhe me këtë borxhi i komunës është shtuar” – njoftoi edhe Jordan Nasev, kryetar i komunës së Karbincit.

Kjo komunë bën pjesë në grupin e atyre komunave që përballen me probleme serioze financiare që rezultuan me llogari të bllokuar bankare. Sipas të dhënave zyrtare që janë shënuar në raportin e revizionit, vitin e kaluar janë regjistruar 16 llogari të bllokuara komunale. Në periudhën e analizuar, shtatë komuna në vazhdimësi kanë pasur llogari të bllokuar. Në periudhën prej vitit 2012 deri në vitin 2016, numri i komunave të bllokuara ka ndryshuar, dhe kështu në vitin 2012 ka pasur 17 komuna me llogari të bllokuar, në vitin 2013 ka pasur 14, në vitin 2014, 11 komuna, në vitin 2015, 12 komuna dhe në vitin 2016 ka pasur 14 komuna me llogari të bllokuar.

Duke u përpjekur që ta amortizojë gjendjen e përkeqësuar financiare të komunave, mirëpo edhe për të krijuar mundësi për investime më serioze në nivel lokal për t’i gjallëruar komunat, qeveria edhe zyrtarisht e paralajmëroi borxhin e ri kreditor prej 120 milionë eurosh – para me të cilat duhet të kthehen obligimet e maturuara. Paralajmërimi fillestar ishte se do të merret kredi prej 250 milionë eurosh. Linja e re kreditore, sipas pritjeve të kryeministrit Zoran Zaev, duhet të jetë me kamatë të volitshme, ndërsa komunat do ta kthejnë kredinë në 20 vitet e ardhshme.

“Presim përqindje të kamatave prej 2, 2 e gjysmë deri në 3 për qind, që do t’i zëvendësojnë kamatat aktuale prej 13 për qind, të cilat i paguajnë komunat për borxhet e tyre. Ne besojmë se në këtë mënyrë do t’ua lehtësojmë barrën komunave, do t’u japim krah për përparimin e tyre në të ardhmen, mirëpo në të njëjtën kohë këto para do të shkojnë edhe te kompanitë vendore, të cilave u kanë borxh komunat” – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Në mesin e komunave me nivel më të lartë të borxhit është Ohri me borxh prej 11,7 milionë eurosh. Kjo komunë vitin e kaluar ka pasur buxhet prej 13,9 milionë eurosh, prej të cilave 5 milionë euro janë shpenzuar vetëm për rroga, ndërsa 1,8 milionë euro për pagesën e kontributeve. Kjo komunë vitin e kaluar ka harxhuar 80.000 euro për punësime të përkohshme, transmeton Portalb.mk.

Në listë është edhe komuna e Tetovës, me borxh prej rreth 8 milionë eurosh. Vitin e kaluar, kjo komunë ka harxhuar 20,4 milionë euro, nga të cilat 13,7 milionë kanë qenë të dedikuara për pagesën e rrogave dhe të kompensimeve. Nëpërmjet zërit “shërbime kontraktuale” janë harxhuar 2.3 milionë euro, ndërsa nëpërmjet “transferimeve të ndryshme“ janë harxhuar mbi 315.000 еuro.

Edhe Struga me buxhet prej 12 milionë eurosh është njëra nga komunat që ka nivel më të lartë të borxhit dhe komunë në të cilën pothuajse në çdo sezon dimëror eskalon problemi i borxheve të rrymës, me ç’rast një pjesë e shkollave mbeten pa ngrohje. Kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, e tërhoqi vëmendjen e publikut kur publikoi shpallje për blerjen e katër veturave në vlerë prej përafërsisht 100.000 eurosh. Kjo ndodhi në një periudhë kur kjo komunë nuk kishte para as t’i realizojë zgjedhjet lokale, me ç’rast paratë duhej të siguroheshin nga buxheti qendror.

Një pjesë e ekonomistëve vlerësojnë se modeli i ri kreditimit për pagesën e borxheve nuk do t’i japë efektet e pritura.

“Instrumenti i këtillë çon drejt: erozionit të mëtutjeshëm të shtetit juridik, mbajtjes së shtetit në robëri, sindikalizimit të shpenzimeve nga puna e papërgjegjshme e funksionarëve të zgjedhur dhe atyre të emëruar. Prandaj, kërkesat e QAE-s janë këto: qeveria në kuadër të Komitetit për revizion që është formuar në vitin 2007 të bëjë analizë përkatëse të gjendjeve, shkaqeve, strukturës, efekteve financiare dhe ekonomike të obligimeve të papaguara nga ana e NJVL-ve dhe ta përcaktojë përgjegjësinë, e cila duhet të individualizohet, ESHR-ja të bashkëpunojë në mënyrë aktive dhe të përgatisë raport përmbledhës për ato NJVL që i janë nënshtruar revizionit për atë se cilat kanë qenë konstatimet dhe rekomandimet, ndërsa Prokuroria publike të ngrejë hetime pas këtyre analizave dhe aty ku ka dyshime të bazuara për vepra penale të reagojë në mënyrë adekuate” – thonë nga Qendra për analiza ekonomike.

Njëra nga komunat e stërngarkuara me borxh është edhe Velesi. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore të vitit të kaluar në këtë komunë kanë qenë 10,5 milionë euro, me ç’rast sipas të dhënave të vitit të kaluar kjo komunë ka pasur borxh prej 1,7 milionë eurosh. Në listën e borxhlinjve është edhe Çairi me 2,3 milionë euro, Gazi Baba me 1,9 milionë euro, komuna Qendër me 1,7 milionë euro, ndërsa komuna e Kërçovës ka borxh prej 1,3 milionë eurosh. Borxhet e komunës së Karposhit, e cila është njëra nga më të ndoturat, janë 7,7 milionë euro.

Sipas strukturës, një pjesë e madhe e borxheve janë ndaj furnizuesve. Kjo është konstatuar edhe në raportin e revizionit “Marrja përsipër e obligimeve dhe jostabiliteti financiar te njësitë e vetëqeverisjes lokale”, të cilin e publikoi para do kohësh “Portalb”-i. Në të thuhet se prej vitit 2012 deri në vitin 2016, vetëm obligimet ndaj furnizuesve janë rritur dukshëm, edhe atë për pothuajse 27.000.000 еuro. Kështu, në vitin 2012 të gjitha komunat kanë pasur borxh ndaj furnizuesve në vlerë prej 55,6 milionë euro, ndërsa në fund të vitit 2016 borxhi është rritur në pothuajse 82 milionë euro. Mirëpo, revizori i përmend edhe obligimet afatgjata që i kanë komunat si rezultat i kredive dhe i huave që i kanë marrë. Edhe këtu vërehet trend i rritjes, dhe kështu në vitin 2012 obligimet afatgjata kanë qenë 23,5 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 ato kanë qenë 33,6 milionë euro.

Duke i analizuar obligimet e përgjithshme, revizioni ka konstatuar mospërputhje të të dhënave, gjegjësisht në vite të caktuara janë paraqitur shuma më të vogla për shkak të evidentimit të vonshëm të obligimeve.

“Prezantimi joadekuat i të dhënave për obligimet afatshkurta dhe ato afatgjata nuk është në përputhje me dispozitat e nenit 22 paragrafi 5 të Ligjit për kontabilitet të buxheteve dhe shfrytëzuesve buxhetorë” – thuhet në raportin e revizionit dhe jepet rekomandim që kryetarët e komunave të ndërmarrin aktivitete për evidentim të saktë, në kohë dhe të plotë të obligimeve të evidentuara.

Vlerësohet se borxhet e përgjithshme të komunave janë në vlerë mbi 300 milionë euro./Portalb/