Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Glauk Konjufca, ka theksuar se njëra nga pikat e diskutimit në takimin e sotëm të Lëvizjes, ka qenë dëgjimi i versionit të dorëhequrve për situatën që po kalon VV-ja.

Ai këto komente i ka bërë për media, gjatë kohës së pauzës disa minutëshe, në takimin e sotëm të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të VV-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së ka bërë të ditur se në kuadër të pikave të diskutimit përveç problemeve të brendshme të partisë, ka pasur edhe pika tjera, si gjykata speciale dhe demarkacioni, të cilat pritet të diskutohet në një rast tjetër.

“Pika e diskutimeve ishte versioni i të dorëhequrve për situatën nëpër të cilën po kalon Lëvizja Vetëvendosje. E kemi dëgjuar secilin veç e veç, kemi folur secili nga dhjetë minuta, për këtë arsye edhe na ka marrë kohë”, ka thënë ai.

I pyetur nga gazetarët se a ka ndonjë të “penduar” në parti lidhur me zhvillimet e fundit, Konjufca tha se nuk dëshiron të flasë me kategori të tilla.

“Nuk do të kisha folë me këso kategori për Lëvizjen Vetëvendosje. Në Vetëvendosje s’ka të penduar, të dënuar e kështu, nuk është fjalori im”, tha Konjufca, raporton Telegrafi.

Ai tha se beson në tejkalimin e situatës së krijuar në këtë subjekt politik.

“Sot jam më optimist se që kam qenë para 10 ditësh, për përafrimin e qëndrimit të të dorëhequrve me pjesën tjetër në VV”, ka shtuar Konjufca.