Lista Serbe ka mbetur e vetme në kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve ligjore që çojnë në formimin e Ushtrisë së Kosovës. Ndryshe nga ajo, të gjitha partitë e tjera parlamentare, duke përshirë edhe një pjesë të subjekteve të minoriteteve, e kanë përkrahur iniciativën – shkruan Gazeta e Re.
Si asnjëherë më parë, të gjitha partitë parlamentare janë mbledhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku në rend të ditës ka qenë shqyrtimi dhe votimi i projektligjeve që çojnë në ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do ta mundësojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës. E vetmja Lista Serbe, nuk ka pranuar të bëhet pjesë e këtyre zhvillimeve, prandaj e ka lëshuar sallën e kuvendit.

Bëhet fjalë për tri projektligje, për të cilat procesi i “konvertimit” të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), do të ishte i pamundur. Kryeministri Ramush Haradinaj, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha, u kanë bërë thirrje partive, që të jenë unike për sa i përket çështjes dhe në këtë mënyrë ta çojnë procesin e formimit të ushtrisë, drejt fazës finale, përkatësisht realizimit.

Grupet parlamentare, i kanë mbështetur ndryshimet, duke theksuar se kjo arritje nuk mund t’i atribuohet asnjë subjekti politik, apo qeverie, por vet Kosovës.

“Asnjëherë nuk u ka ardhë shanci deputetëve të Kosovës, që të votojnë për ndryshime kushtetuese, sepse përndryshe këto vota do t’i kishte” – tha ndër të tjera Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Para tij edhe Ismet Beqiri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha që “ne do ta mbështesim dhe do ta votojmë projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e të shpresojmë më vonë edhe Forcës së Armatosura të Kosovës”.

Të dy partitë, më të mëdha opozitare, ndonëse kohëve të fundit jemi mësuar t’i shohim jashtë parlamentit, ato kanë zgjedhur që për çështjen e ushtrisë, të rikthehen te ky institucion, për t’i dhënë mbështetje procesit në fjalë.

Përkrahje të plotë të këtij procesi i ka dalë edhe Grupi 6 +, ndërsa duket që për çështjen një kncensus i gjithanshëm veç është arritur.

“Është e rëndësishme që ne t’i kemi forcat e armatosura, të cilat do t’na mbronin si shtet” – e nisi fjalën e tij, lideri i VV-së Albin Kurti. Ai dhe deputetët e tjerë, në parim i përkrahën projektligjet, ndërsa rekomanduan edhe ndryshime të tjera të nevojshme. Kështu deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 101 vota PRO, votuan në lexim të parë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

Përfundimisht, pa kundërshti të mëdha, me disa debate e replika, në kuvend kanë kaluar tri projektligjet pa të cilat do të ishte bërë e pamundshme realizimi i projektit të Ushtrisë së Kosovës, përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës.