Barometri i parë global mbi prosperitetin, shpresën dhe lumturinë që filloi në 1977 këtë vit mbulon rreth 2/3 e popullsisë në botë, i realizuar në bashkëpunim me WIN tregon se Kosovën, një pikë optimiste në planetin pesimist.

Të dhënat nga studimi i fundit i Gallup International tregojnë se edhe pse 28% e njerëzve në botë janë optimist për vitin 2018, pesimizmi ekonomik është 2 pikë më i lartë.

Vendet më pesimiste janë Italia (nota net: -50), Greqia (nota net: -42) e pasuar nga Turqia (nota net: -40), ndërsa Nigeria (nota net: +59) dhe Vietnami (nota net: +55) janë vendet më optimiste në botë.

Në anën tjetër, intensiteti i shpresës, respektivisht optimizmi i përgjithshëm tek njerëzit mbetet akoma i lartë edhe pse numri i optimistëve është në rënie e sipër në gjithë botën.

Më pak se 40% e të anketuarve në të gjithë botën ndjejnë se viti 2018 do të jetë më i mirë se viti 2017, që është 13% më pak se sa që ishte në vitin e kaluar (52% ndjenin se viti 2017 do të ishte më i mirë se viti 2016) përderisa 23% e popullsisë në botë pret që viti 2018 do të jetë më i keq se viti 2017, ndërsa 6% nuk kanë ide se si do të jetë viti i ardhshëm.

Kjo rënie e shpresës dhe optimizmit mund të konsiderohet si një indikator se bota po shndërrohet në një vend më të tensionuar dhe më pak të parashikueshëm.

Sa i përket optimizmit të përgjithshëm të atyre që mendojnë se vendi i tyre do të ketë prosperitet ekonomik, Kosova dhe Shqipëria mbesin në listën e 10 vendeve më optimiste në botë, së bashku me shtetet tjera kryesisht në zhvillim si Indonezia, Nigeria, India, Fixhi, Banglladeshi, Vietnami, Filipinet dhe Suedia.

Në fakt, krahasuar me tri vitet e fundit, vërehet një ngritje stabile e nivelit të optimizmit të përgjithshëm në Kosovë. Në vitin 2014, kur qytetarët u pyetën nëse mendonin se viti 2015 do të jetë vit më i mirë apo më i keq për Kosovën, vetëm 33% deklaruan se do të jetë më i mirë.

Kjo ishte shkalla më e ultë e optimizmit e shënuar në Kosovën e pasluftës dhe sigurisht se tërë kjo lidhej me krizën qeveritare të atij viti, kur pothuajse për 6 muaj rresht nuk arriti të krijohej qeveria.

Sot, përqindja e njerëzve që mendojnë se viti 2018 do të jetë më i mirë se viti 2017 është 51%.

Kjo domethënë se shkalla e optimizmit në Kosovë është rritur gradualisht vit pas viti, duke arritur diferencën prej 18% më shumë se sa që ishte në vitin 2014.

Megjithatë, rreth gjysma e popullsisë nuk pret se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë se viti që po shkon.

“Rezultati reflekton situatën e zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend: çështja e liberalizimit të vizave, vështirësitë për funksionalizimin e qeverisë, kundërshtitë e ashpra politike mes pozitës dhe një opozite mjaft aktive, diskursi i përdorur nga ana e politikanëve, ngritja e çështjes së demarkacionit dhe asociacionit dhe ndryshimet që rezultuan nga zgjedhjet e fundit parlamentare, mund të konsiderohen faktorë kyç që reflektojnë nivelin e optimizmit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Vlen të theksohet se në Barometrin e Gallup International, nga viti 2000 Kosova ishte për gati një dekadë vendi më optimist në botë.

Hulumtimi i fundvitit i Gallup International (EoY) është traditë vjetore e iniciuar dhe dizajnuar nga ekipi udhëheqës i Dr. George Gallup në vitin 1977. Që nga ai vit, ky hulumtim realizohet çdo vit. Këtë vit hulumtimi u realizua nga Asociacioni Gallup International në partneritet me WIN në 55 shtete të botës.

Kosova përmes Kantar TNS Index Kosova, si pjesë e asociacionit që nga viti 2000, realizon këtë hulumtim çdo vit.