krasniqi-bota-sot-DSC_0256-848x478“Njohja e Kosovës nga ana e Serbisë as nuk po shihet në horizont”, shkruan Jakup Krasniqi, duke përmendur edhe premtime të tjera që janë dhënë nga ana e qeverisë, si fusnotën, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe integrimin e veriut.

Në këtë mes ish – kryeparlamentari Jakup Krasniqi i fut edhe marrëveshjet e gushtit që u arritën në Bruksel, dhe zgjedhjet e Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Ai citon deklarata të njerëzve në qeveri që për secilin proces ndaras kanë dhënë premtime në kundërshtim me veprimet e tyre

Krasniqi thotë se njerëzit e qeverisë duhet ta ruajnë traditën tonë kombëtare që: Po-ja të jetë Po dhe Jo-ja të jetë Jo.

Se deri me tani sipas tij, nuk kanë treguar se ia dinë peshën fjalës së thënë e as të dhënë.

Lexojeni të plotë shkrimin e ish – kryeparlamentarit Jakup Krasniqi

Nga Jakup Krasniqi

Që nga koha e Kryeministrit Thaçi (legjislatura e katër) dhe tani e Isa Mustafës (legjislatura e pestë), e deri me sot kemi pasur raste e raste të dëgjojmë deklarata shumë shpresëdhënëse se: “Serbia de facto e ka njohur Pavarësinë e Kosovës”. Kjo frazë boshe jo pak herë është thënë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, nga Kryeministra, ministra e deputet të koalicionit, por njohja nuk po shihet në horizont?!

Në Kuvend dhe jashtë tij shpesh është dëgjuar se: “Fusnota do të shkrihet si fjollë bore”, thoshte Zëvendëskryeministrja Tahiri?! Shkuan muaj e po shkojnë vite, ajo dreq fjolle nuk u shkri, është ngurtësuar e bërë guri (sikur t’i kishte ngurtësuar Zana e Malit) që nuk e shkrin DOT as 35 gradët e celsiusit të muajt korrik e gusht vitit të shkuar?!

Pastaj thanë se: “Serbia nuk do e pengoj Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”. Po Serbia dhe miqtë e saj lobuan fuqishëm për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, e ma pas as ne Gjykatën e Arbitrazhit. Ne te dy rastet nuk i patëm me vete as miqtë e Kosovës!

Para sa kohe nuk nguruan se thani sa e sa herë se “do hiqet barrikada mbi lumin Iber”. Ndërsa barrikada po lulëzon mbi lum. Thanë se “do te integrohet veriu i Kosovës”, e çintegrimi u shtri edhe në pjesët tjera të Kosovës. Thanë se “do të shuhen (shpërbehen) rojet e urës”, para pak dite ata u bënë zyrtarë te qeverisë së Kosovës. Nuk po dihet bash mirë se kush ku është ka integrohet?!

E thënia ma skandaloze është kjo, se “Marrëveshjet e Brukselit e 25 gushtit 2015 është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës”?! Pas veprimeve të opozitës me bombola të gazit lotsjellës dhe protesta, Gjykata Kushtetuese konfirmoj jo më pak se 23 shkelje. Tani po thonë se “nuk do të shkojmë në Bruksel”, për çka nuk mund t’ju beson askush. Tanë se edhe do të dhënë përgjegjësi, nëse nuk është në përputhje me kushtetutën?! Edhe kësaj radhe i hëngrën fjalët e veta?! Ndoshta do të jetë hera e fundit?! Le të shpresojmë, pasi shpresa vdes e fundit!

Xhevahiri i fundit dhe më i riu vjen nga zonja Tahiri: “zgjedhjet e Serbisë nuk do të mbahen në Kosovë”?! Kjo është si ajo thënia se: “zyrtarët serb nuk do të hyjnë pa leje e qeverisë sonë në Kosovë”. Ndërsa ata hynin e dilnin, “si në bahçe të babës”. A ka mbetur akoma ndonjë njeri në Kosovën tonë që mund t’ju beso këtyre qeveritarëve mashtrues?!

Ndërsa, po dje, sipas mediave, Gjuriqi tha: “Ne, nuk do të pranojmë t’i ndryshojmë marrëveshjet për të cilat jemi marrë vesh”. Nëse mund t’i besohet këtij zyrtari të qeverisë serbe, po i bie që pala serbe dhe e Kosovës në Bruksel, janë marrë vesh edhe për Statutin e komunave serbe (pala jonë po thotë me shumicë serbe?!) Kush këtu po gënjen? Siç po shihet nga kjo që u tha, gënjeshtarët po dihen. Vërtetë!!! nuk është hartuar Statuti i Zajednices? Apo kush do ta hartoj atë? Janë këto pyetje që kërkojnë përgjigje nga Kryeministri dhe Ministria e Dialogut.

Sipas kësaj që u tha më lartë po del se ne, qytetarët e Kosovës, jemi te detyruar t’i përkthejmë deklarimet e qeveritarëve të tashëm të Kosovës. Kur ata të thonë Jo, ne ta përkthejmë në Po dhe e kundërta. Përveç kësaj, kur këta qeveritar, thirren në patriotizëm, duhet të frikësohemi, se ndonjë dem i mëdha do t’i ndodh vendit?! Se paku kështu ishte deri më tani! Secilën paudhësi e mbuluan me patriotizmin e zjarrtë!

Kur kihen parasysh këto që u thanë e ato që nuk u thanë për deklarimet e thëna e të pa mbajtura, të bëra e të pabëra, del se këtyre qeveritarëve, duhet t’u mbahet një kurs tre vjeçar, sesi duhet komunikuar me opinionin publik, sesi ata duhet të thonë me kujdes çdo fjalë, se fjalët e mëdha nuk duhet thënë pa kapërcyer pengesën, se Po-ja duhet të jetë vetëm Po. Madje në shqiptarët tradicionalisht jemi të njohur si mbajtës të fjalës së dhënë, që ndryshe i themi – Besë. Pasi këta po “dëshirojnë” t’na integrojnë në BE, le t’na çojnë me Besën tonë atje që mos t’na zhveshin nga vlerat tona tradicionale.

Pra, mbi të gjitha, këta zyrtar duhet ta ruajnë traditën tonë kombëtare që: Po-ja të jetë Po dhe Jo-ja të jetë Jo. Se deri me tani nuk kanë treguar se ia dinë peshën fjalës së thënë e as të dhënë. Shkurt, fjalët e tyre janë të pa karar! E punët e tyre a mund të kenë karar?